×
  • Lajme
  • Lajme

    Trkanjec: Kurti ta zgjidh me kujdes çështjen e Asociacionit, aty është tabloja e madhe

    Reporteri
    26 Shtator 2022 | 10:46
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Fotografi ilustruese.

    Autor: Xhezair Dashi


    “Më mirë do të ishte që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me kujdes ta trajtonte tablon më të gjerë që përfshin Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, vlerëson redaktori i politikës së jashtme i gazetës kroate “Jutarnji list”, Zheljko Trkanjec në një prononcim për gazetën online Reporteri.net.

    Kështu përgjigjet Trkanjec, pyetur rreth çështjes së vendimit të qeverisë kosovare për të ndaluar targat ilegale të lëshuar nga MPB-ja serbe për komunitetin serb të Kosovës, afat ky i cili skadon më 31 tetor kur të gjitha këto targa supozohet të konvertohen në targa të Republikës së Kosovës (RKS).

    “Nuk jam i sigurt se ishte taktika më e mirë”, shprehet ai me skepticizëm, derisa shton se “Kryeministri Kurti provoi ta shfrytëzonte momentin”.

    “Edhe pse në fund, ai mund të korr ca rezultate”, shprehet Trkanjec.

    Për angazhimin franko-gjerman në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, profesori kroat Zheljko Trkanjec, thotë se kjo qartësisht tregon dëshirën e unionit evropian për gjetjen e një zgjidhje.

    “Ta lësh Rusinë pa një pikë krize në Ballkanin Perëndimor është arritje e madhe”, shprehet ai. “Por, Shtetet e Bashkuara nevojiten për zgjidhje”, shton ai.

    Redaktori i politikës së jashtme në “Jutarnji list”, Zheljko Trkanjec

    “Megjithëkëtë, mboshtjet e reja që Rusia do t’i vuajë në Ukrainë mund të krijojnë hapësira të reja manovrimi që BE të shtyjë për një zgjidhje rreth Kosovës”.

    Pyetur nga Reporteri.net rreth një drafti të publikuar nga media e gazetarit Baton Haxhiu, “Albanian Post”, për një të ashtuquajtur “kornizë të re” për dialogun Kosovë-Serbi, Trkanjec thotë se “më shumë ishte një test se sa dokument”.

    “Idea që Serbia ‘ta pranojë Kosovën’ pa e njohur ka potencial”, thotë fillimisht ai.

    Megjithatë, këtë Trkanjec nuk e sheh të lehtë. “Tani ka një pengesë. [Aleksandar] Vuçiç po përballet me pasojat e politikës nacionaliste të tij”.

    “[…] Nuk ka asnjë forcë politike [serbe] me ndikimin e as të vërejtjshme për ndonjë hap pozitiv në çështjen me Kosovën”.

    “Njëjtë si në marrëdhëniet me Rusinë. Nuk shoh asnjë shenjë ndryshimi në Beograd”.

    Ndërsa sa i përket diskutimeve për propozimin e një zgjidhjeje sipas modelit të Dy Gjermanive, njohësi kroat i çështjeve politike, nuk e sheh si të aplikueshme në këtë rast.

    “Në lidhje me modelin e ‘Dy Gjermanive’, ajo ishte bërë në rrethana tjera, pjesë tjetër të Evropës, mes një kombi të njëjtë me qëllimin për bashkim, ndërsa këtu jemi dy kombe që për qëllim kanë ndarjen”, thotë ai për gazetën online Reporteri.net.

    Në lidhje me mundësinë e ndonjë përshkallëzimi mes Kosovës dhe Serbisë, Zheljko Trkanjec nuk sheh mundësi të këtilla.

    “NATO-ja ishte e qartë, KFOR’i do të bëjë gjithçka për të parandaluar konflikte. Tani nuk është koha për konflikte në Ballkan”, vlerëson profesori kroat, Zheljko Trkanjec./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!