×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Në mbështetje të çlirimtarëve

    UÇK-ja bashkoi shqiptarët në protestën për drejtësi, mesazhet që u dhanë në tubimin në Shkup

    Reporteri
    13 Dhjetor 2025 | 17:28

    Në Shkup sot u protestua për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mijëra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut morën pjesë në tubimin masiv në sheshin “Skënderbeu”. Nga aty u dha mesazhi se “çlirimtarët duhet të nderohen, jo të gjykohen”.

    Protesta e thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së në Shkup zgjati saktësisht një orë.

    Fjalime mbajtën, kreu i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, veterani dhe invalidi i UÇK-së, Berat Hajdari, veterani i UÇK, Hasan Haklaj, dhe Shqipdona Mazari, vajza e Komandant Strugës, shkruan Reporteri.net.

    Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se procesi në Hagë kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve duhet të përfundoj me epilog të pafajësisë.

    Ai ka theksuar se  UÇK-ja nuk ka qenë kundër asnjë populli, e as kundër popullit serb, por se ka luftuar për lirinë e popullit të vet.

    “Ky proces duhet të marrë epilog të pafajësisë, sepse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si dhe ushtarët që ndodhen pas këtyre grilave, akuzohen për vepra të pabëra. Tërë procesin e kemi përcjellë; mbase na dridhej lëkura në shtrat kur dëgjonim akuzat që na i kishte bërë Beogradi e Moska si terroristë, kriminelë e banditë”, ka potencuar Ahmeti.

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë kurrë kriminale, por një forcë çlirimtare që mbrojti kombin dhe qytetarët e saj, shkruan Reporteri.net.

    ‘UÇK ka qenë një ushtri çlirimtare që mbrojti kombin e vet dhe qytetarët e saj. Ne jemi këtu për të ngritur zërin, siç e bëjmë në çdo protestë, duke bashkuar shqiptarët siç bëri edhe Skënderbeu në kohët më të vështira. Kjo gjykatë është formuar nga një individ i çmendur, i cili në vitin 2011 ngriti një rezolutë në Parlamentin dhe Këshillin e Europës, duke pretenduar se UÇK ka kryer krime. Por ne jemi këtu për të treguar se e vërteta është ndryshe”, tha Gucati.

    Veterani i UÇK, Hasan Haklaj, ka thënë e tri shkronjat e arta të alfabetit shqip janë UÇK.

    ‘Po të mos ishte alfabeti shqip, ne do të shuheshim. Ky është i paprekshëm dhe tri shkronjat më të arta të alfabetit shqip janë UÇK”, ka thënë Haklaj.

    Shqipdona Mazari, vajza e Komandant Strugës, kërkoi liri për krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.

    Ajo ka theksuar se UÇK-ja nuk ishte një ushtri pushtuese, por një ushtri çlirimtare që luftoi për liri.

    “Çdo fytyrë këtu është gurthemel i lirisë sonë. Unë si bij dëshmori qëndrojë para jush me një emocion, ndjenjë përgjegjësi dhe plagë e pashërueshme. Emocioni im është simfoni krenarie. UÇK-ja është përgjigja e një populli që nuk e pranoi kurrë zhdukjen dhe ata që e udhëhoqën nuk ishin kurrë kriminel”, tha ajo.

    Veterani dhe invalidi i UÇK-së, Berat Hajdari, tha se ish-komandantët e UÇK-së po gjykohen padrejtësisht.

    “Jemi mbledhur këtu për një kauzë që na dhemb, që na prek zemrat, historinë dhe identitetin, por mbi të gjitha na bashkon. Na bashkon për të kërkuar drejtësi për komandantët e UÇK, të cilët po gjykohen padrejtësisht në Hagë”, ka thënë ai.

    Ai tutje tha se në këtë protestë po kërkohet drejtësi dhe jo hakmarrje.

    Kjo ishte protesta e radhës, që mblodhi shqiptarë nga të gjitha trevat me thirrjet për drejtësi.

    Me mijëra shqiptarë kanë marrë pjesë edhe në protestën e mbajtur në Tiranë, në kryeqytetin shqiptar, ku u bë thirrje për drejtësi të ish-krerëve e të UÇK-së.

    Një tjetër protestë e madhe është mbajtur më 14 shtator në qytetin holandez në Hagë, ku me mijëra shqiptarë u mblodhën nga Evropa, Amerika por edhe Kosova që të kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo protestë u organizua një ditë para se të dëgjohet dëshmitari i parë i mbrojtjes në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-ndihmëssekretari amerikan, James Rubin.

    Protestë ishte mbajtur edhe në Strasburg.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!