Ushtarët italianë të misionit të KFOR-it kanë zhvilluar trajnim me qitje me municion të vërtetë në poligonin e qitjes “Razorback”, pranë Prishtinës.

Sipas KFOR-it, trajnimi kishte për qëllim ruajtjen dhe përditësimin e aftësive të pjesëtarëve në përdorimin e sistemeve individuale të armëve, si dhe forcimin e procedurave operacionale.

Gjatë trajnimit u synua gjithashtu përmirësimi i koordinimit dhe rritja e besimit në përdorimin dhe trajtimin e sigurt të armëve.

Reklamë

“Përmes aktiviteteve të tilla trajnuese, pjesëtarët e KFOR-it ruajnë një nivel të lartë të gatishmërisë operacionale dhe ndërgjegjësimit për situatën”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

KFOR-i thekson se aktivitete të tilla dëshmojnë përkushtimin e vazhdueshëm të misionit për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

Misioni i udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë.

KFOR-i punon në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse në fushën e sigurisë.