Tre luanë nga një kopsht zoologjik në Tokio dyshohet se kanë ngordhur si pasojë e temperaturave të larta, ndërsa disa të tjerë po marrin trajtim, kanë bërë të ditur zyrtarët e këtij institucioni.
Kopshti zoologjik Tama ka njoftuar se që nga mesi i korrikut, 10 nga 16 luanët e tij kanë shfaqur simptoma si humbje oreksi dhe ulje të aktivitetit.
Sipas deklaratës së kopshtit zoologjik, tre luanesha kanë ngordhur brenda pak ditësh – njëra të martën, tjetra të premten dhe e treta të dielën.
“Shkaku i vdekjeve dyshohet të jetë goditja nga nxehtësia, pasi veterineri ka vërejtur dehidratim dhe dështim të shumëfishtë të organeve”, thuhet në njoftimin e kopshtit zoologjik.
Japonia po përballet me temperatura të pazakonta të larta. Vendi regjistroi verën më të nxehtë ndonjëherë vitin e kaluar, ndërsa në javët e fundit disa zona kanë kaluar temperaturat prej 40 gradë Celsius.
Një zëdhënës i kopshtit zoologjik ka thënë se, edhe pse luanët konsiderohen kafshë që përballojnë temperaturat e larta, kushtet klimatike në Japoni paraqesin vështirësi të veçanta.
“Edhe pse mendohet se luanët janë rezistentë ndaj nxehtësisë, kujdestarët e kopshtit zoologjik kanë forcuar masat për t’u përballur me nxehtësinë e verës në Japoni vitet e fundit. Nxehtësia këtu vjen me lagështi të lartë; kjo është e ndryshme nga nxehtësia me ajër të thatë në Afrikë”, ka deklaruar zëdhënësi.
Ai shtoi se këtë vit temperaturat e larta erdhën papritur pas përfundimit të sezonit të shirave.
“Por këtë verë, nxehtësia erdhi papritur pasi mbaroi sezoni i shirave”, ka thënë ai.