Ka vdekur në moshë të re ish-gazetarja dhe zëdhënësja e klubit të futbollit “Drita” nga Gjilani, Elife Sherifi.

Lajmin për vdekjen e saj e ka bërë të ditur klubi.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta në moshë të re të bashkëpunëtores sonë, Elife Sherifi. Elifja ishte një profesioniste e shquar në fushën e gazetarisë dhe një adhuruese e flaktë e klubit tonë, shumë kohë përpara se të merrte detyrën e zëdhënëses së klubit, pozitë të cilën e mbajti me përkushtim për më shumë se gjashtë vite. Puna, përkushtimi dhe dashuria e saj për klubin do të mbeten gjithmonë pjesë e kujtimeve tona”, thuhet në njoftim.

Reklamë

Klubi “Drita” ka shprehur ngushëllime për familjen Sherifi dhe për të gjithë miqtë e të njohurit e saj.

“Në këto momente të vështira, qëndrojmë pranë familjes dhe ndajmë dhimbjen me ta. Prehu në paqe, Elif”, thuhet në postimin e FC Drita.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas lajmit për vdekjen e gazetares Sherifi.

AGK ka shprehur pikëllim të thellë për këtë humbje, duke kujtuar se Sherifi kishte përfunduar studimet në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe kishte punuar në media të ndryshme. Vitet e fundit, ajo kishte shërbyer si zëdhënëse e KF Drita në Gjilan.

Reklamë

AGK i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së saj, kolegëve, miqve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur.