Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me kërkesën e Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, është publikuar tashmë në Gazetën Zyrtare, shkruan Reporteri.net.
Vendimi i Kushtetueses ndalon punën e Kuvendit të Kosovës dhe procedurat për formimin e Qeverisë, nga sot e deri më 30 shtator.
“… Gjykata konsideron se pa u vlerësuar pretendimet e lartcekura të parashtruesve të kërkesës në rastin para saj, është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit, në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.

Kryeparlamentari Dimal Basha ka njoftuar se e ka pranuar vendimin, teksa tha se ka autorizuar që i njëjti të shpërndahet tek të gjithë deputetët.
“Sot kam pranuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendosjen e masës së përkohshme, në rastin nr. KO265/25. Menjëherë kam autorizuar administratën që të njëjtën t’ua shpërndajë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Faleminderit!”, shkroi Basha.
Sipas Gjykatës, masa e përkohshme mund “të evitojë rreziqe apo dëme të pariparueshme” që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore dhe nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën.
“Për më tepër, Gjykata vlerëson se, në kuptim të përcaktimeve të nenit 27 të Ligjit, ekzistojnë rrethana të “interesit publik” e që përfshijnë ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Kushtetuesja ka theksuar se themelimi i institucioneve shtetërore duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën.
“Duke qenë se pretendimet e parashtruesve të kërkesës, në thelb, kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë e vendimeve të marra dhe veprimeve të ndërmarra gjatë Seancës Konstituive, si akt kushtetues, Gjykata vlerëson se pretendimet dhe faktet e prezantuara nga parashtruesit e kërkesës ngrenë çështje të nivelit kushtetues që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërorë pas zgjedhjeve për Kuvend”, theksohet në dokument.
Lista Serbe i është drejtuar Kushtetueses me kërkesë të shtunën. Deputetin e 10’të për ta dorëzuar kërkesën, atyre ua ka bërë Adem Hoxha, të cilin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e përjashtoi nga Grupi Parlamentar.
Ndryshe, pavarësisht dështimit për zgjedhjen e nënkryetarit serb, Kryeparlamentari Dimal Basha e ka përmbyllur seancën konstituive të shtunën, duke e konsideruar Kuvendin si të konstituuar./Reporteri.net