×
  • Lajme
  • Lajme

    Vërtetohet dënimi me burgim për Kërstiqin e Shabanin për krime lufte

    Reporteri
    02 Dhjetor 2021 | 15:29

    Gjykata e Apelit të Kosovës ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës e datës 23 mars të këtij viti, ku janë dënuar për krime lufte në Kosovë ndaj popullatës civile Zlatan Kërstiq e Destan Shabani.

    Kërstiq është dënuar me burgim prej 14 vjet e 6 muaj, ndërsa Shabani me 7 vjet burgim.

    “Departamenti Special i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka vendosur që të refuzoj si të pabazuara ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, kurse të vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.76/19, datë 23.03.2021, ndërsa është hudhur poshtë ankesa e përfaqësuesit palës së dëmtuar. Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuari Z.K. është shpallur fajtor për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Krime lufte kundër popullsisë civile nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e sanksionuar edhe sipas nenit 3 të Konventës së Gjenevës dhe Protokollit të dytë të saj dhe ndaj të njëjtit është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 14 (katërmbëdhjetë) vjet e 6 (gjashtë) muaj. Ndërsa, i akuzuari D.SH. është shpallur fajtor për shkak të veprës penale Krime lufte kundër popullsisë civile nga neni 142 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës dhe ndaj të njëjtit është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) vjet”, thuhet nga Gjykata e Apelit.

    Zllatan Kërstiq akuzohet se me 26 mars 1999, në fshatin Nerodime e Epërme, të Ferizajt, ka marrë pjesë direkt në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht në dëbimin e 15 anëtarëve të një familje dhe marrjen peng të 4 personave që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur. Sipas prokurorisë Kërstiq ka marrë pjesë nё maltretime, torturime, gjymtime dhe nё vrasjen me armё zjarri tё viktimave, madje duke i hedhur skaj rrugёs kufomat e viktimave me qëllim tё fshehjes sё krimit.

    Ndërsa i akuzuari Destan Shabani akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore serbe, se me 1 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pajetë të O.N., B.N., A.N., B.N. dhe I.R., të vrarë nga forcat policore dhe paramilitare serbe, ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!