OVL e UÇK’së ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të kryetarit të Kuvendit, Dimal Bashës, pasi doli në pah një artikull kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ai ishte bashkëautorë.
Përveç shkarkimit, është kërkuar edhe nisja e hetimeve ndaj tij, shkruan Reporteri.net.
Ata kanë paralajmëruar masa nëse kërkesa e tyre nuk përfillet.
“Dimal Basha me kategoritë e dala nga lufta do të del humbës. Z. Basha nuk mund t’i ikë përgjegjësisë me një konferencë për media. Ai është bashkëpjesëmarrës i atij punimi. Z. Basha nuk i ka dyert e hapura te ne. Me këto shpifje që janë duke iu bë UÇK-së”, ka thënë kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.
Basha në një konferencë për media ka përsëritur se kontributi i tij në punimin kundër UÇK-së që nxiti reagime të shumta është vetëm në Kapitullin 3, “i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën”.
Basha tha se akuzat ndaj tij janë të ulëta, teksa ka pohuar se çmon luftën e shenjtë të UÇK-së.
Ai në fund akuzoi edhe mediat duke pretenduar për “raportime të rreme”.
“Ndjej përgjegjësi që të dal me sqarim për akuzat ulëta të ngritura ndaj meje. Në vitin 2012 kur kam qenë studentë, sikurse edhe shumë studentë të tjerë kemi dorëzuar hulumtime për studim. Unë në asokohe kam bërë hulumtim për çështjen e depërtimit të islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, por që gjithmonë kam pas fokus Kosovën. Unë kam dërguar hulumtimin që lidhet vetëm me këtë temë dhe këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë. Edhe tema ime e diplomës në master, në vitin 2013 gjithashtu e mbulon vetëm këtë pjesë. Të njëjtën e thotë edhe vetë profesoresha që ka punuar në bachelor, ku ajo dëshmon se nuk kam shkruar një fjali nga artikujt tjerë .
Këto akuza dhe lidhjet e mia me raportin e Dick Martyt janë shumë të ulëta dhe rënduese për mua sepse unë në vitin 2010 kam publikuar shkrim ku kam bërë thirrje të luftohet ky raport sepse do të na kushtojë shumë si popull, por edhe si vend. Unë si kryetar Kuvendi dhe si çdo qytetar e kam të shenjtë luftën e UÇK-së, i përulem secilit që ka kontribuar në luftë e paqe. Kurrë në jetën time nuk është shkruar dhe as nuk do të gjendet ndonjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë dhe distancohem nga të gjithë ata që distancohen ndaj kësaj vlere. Unë ju kërkoj falje qytetarëve e që janë shqetësuar nga ky raportim i rremë dhe bëjë thirrje që të raportohet saktë”, tha Basha ndër të tjera./Reporteri.net