Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlin Manxhuka ka thyer heshtjen e partisë së tij për audio-incizmin e shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës me terroristin Milan Radojçiq, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai ka thënë se trashëgimia e tyre (pushtetet e kaluara) nuk bëhet dot mëkat i Vetëvendosjes.
“Trashëgimia e keqe e tyre nuk bëhet dot mëkat i yni. Ata që kanë bërë biznese, koalicione, qeveri e miqësi me Radoiçiqin nuk mund të na bëjnë gjyqin neve sot. Me neve Radoiçiq ikë maleve me bisht nën shalë, e nuk zë vend në karrigat e zyrës së Kryeministrit”, ka shkruar Manxhuka.
“Kjo është sa për përkujtim për të gjithë korin kritikues e akuzues që i kemi dëgjuar dje e sot. Tjerat i gjykon më së mirë qytetari. Ai më së miri e di se ku ishte Lista Serbe dhe Radoiçiq para qeverisë sonë, dhe ku janë sot”, ka shtuar ai.
Të hënën është publikuar një sekuencë e bisedës mes Kusari-Lilës dhe Radojçiqit. Kjo bisedë besohet të ketë ndodhur në muajin qershor të vitit 2022.
Biseda ka ndodhur në telefon teksa Slavko Simiq ishte takuar me Kusari-Lilën.
Biseda më pak se një minutë ishte ndërmjetësuar nga Sllavko Simiq i Listës Serbe.
“Kolege, kemi ardhur te Milani, dëgjohu me të”, i thotë Simiq deputetes së VV-së.
“Në rregull”, ia kthen Kusari-Lila.
“Alo, (vendase) zemlajke, a po nihemi?”, e pyet Milan Radojçiqi.
“Po, po të dëgjoj”, ia kthen Kusari-Lila.
Radojçiq: “Qysh je? Qysh po kalon?
Kusari-Lila: “Qe, qe në Kuvend i kam pasur disa takime. Tash u lirova, po shkoj në shtëpi”.
Sekuencën e bisedës e cila besohet se është zhvilluar në qershor të vitit 2022, e ka publikuar Nacionale.
Biseda ishte zhvilluar në kohën kur Milan Radojçiqi ishte përfshirë në Listën e Zezë.
Mimoza Kusari-Lila e kishte konfirmuar bisedën me Radojçiqin, por pati deklaruar se biseda është në gjuhën shqipe. Sipas versionit të Kusari-Lilës, biseda kishte ndodhur pasi Simiq ia pati ‘lëshuar interfonin pa paralajmërim’.
“…Në të cilin gjatë bisedës Sllavko, ne…e thërret, e lëshon në speaker phone. Ai flet shqip”.
Një vit më parë ishin publikuar audio-incizimet mes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza-Kusari Lila dhe ish-deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, e ku përmes tij, ajo e para komunikonte edhe me të sanksionuarin famëkeq dhe në Listë të Zezë të SHBA-së, Milan Radojiçiqin.
Një vit më vonë në fund të muajit shtator, Radojçiq ishte pjesë e grupit terrorist që sulmoi në Banjskë duke lënë të vrarë policin e Kosovës, Afrim Bunjakun.
Tre pjesëtarë të grupit u vranë gjatë përleshjeve me njësitet speciale të Kosovës. Pjesa tjetër e grupit arriti të ikte në drejtim të Serbisë.