×
  • Lajme
  • Lajme

    Visar Ymeri komenton raportin e DASH-it për Kosovën: Republikë e kapur dhe e korruptuar

    Reporteri
    14 Mars 2019 | 20:12

    Nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri, e ka komentuar raportin e fundit të DASH-it, ku u identifikuan shumë shkelje të të drejtave të njeriut.


    “Republika e kapur dhe e korruptuar, shkak i shkeljeve të të drejtave të njeriut”, është shkrimi që Ymeri e ka publikuar në Facebook.

    Ai thotë se raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit që vlerëson respektimin e të drejtave nëpër vende të ndryshme të botës ravijëzon disa probleme që janë shfaqur në Kosovë për periudhën raportuese.

    Postimi i plotë i Ymerit:

    REPUBLIKA E KAPUR DHE E KORRUPTUAR, SHKAK I SHKELJEVE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT

    Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit që vlerëson respektimin e të drejtave nëpër vende të ndryshme të botës ravijëzon disa probleme që janë shfaqur në Kosovë për periudhën raportuese.

    Ndër më shqetësueset mbeten korrupsioni, ekstradimi i shtetasve të huaj pa proces paraprak ligjor, si dhe pozita e pakicave etnike e shoqërore në Republikën e Kosovës.

    Natyrisht që rritja e korrupsionit është drejtpërdrejt e lidhur me shkeljen e të drejtave elementare të njeriut.

    Në mënyrë implicite, korrupsioni nënkupton cungim të mundësive për shumicën duke e përqendruar pasurinë/pushtetin në duart e pakicës. Ky lloj shteti është shtet i kapur, meqë korrupsioni është mekanizëm që, duke i përjashtuar procedurat demokratike e orientimin e politikave kah e mira e përgjithshme, e privatizon aparatin shtetëror për ta vënë atë në funksion të interesit të pakicës sunduese. Kur kësaj i shtohet edhe identifikimi etnik politik, atëherë formula është e gatshme. Tjetri, përherë i reduktuar në numër, shihet me dyshim dhe si rrezik.

    Kështu Republika e kapur dhe e korruptuar shndërrohet në të kundërtën e vet – në vend se demokraci gjithëpërfshirëse, prodhon oligarki sunduese; në vend rishpërndarje për mirëqenien e përgjithshme, prodhon zhvatje për pasurim të sunduesve. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!