×
  • Lajme
  • Lajme

    Visar Ymeri: Së shpejti fillojmë hetimin në PTK

    Reporteri
    20 Mars 2019 | 19:11

    Tashmë është krijuar Komisioni parlamentar i cili do të hetojë punësimet partiake në Telekomin e Kosovës.


    Visar Ymeri, kryetari i këtij komisioni sot ka takuar kryetarin e Sindikatës së Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, dhe anëtarët e kryesisë së Sindikatës, Naim Haliti dhe Shpëtim Zharku.

    Ai përmes një postimi thotë se gjendja në PTK është tejet shqetësuese dhe së shpejti fillojnë hetimet për nepotizmin në këtë ndërmarrje.

    Kujtojmë se Reporteri.net të hënën ka raportuar se do të formohet ky Komision Hetimor për PTK-në.

    Më poshtë mund ta lexoni statusin e plotë të Ymerit:

    SË SHPEJTI FILLOJMË HETIMIN PËR FAKTORËT QË PO NDIKOJNË NË SHKATËRRIMIN E TELEKOMIT TË KOSOVËS

    Sot takova kryetarin e Sindikatës së Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, dhe anëtarët e kryesisë së Sindikatës, Naim Haliti dhe Shpëtim Zharku, në kuadër të përgatitjeve për Komisionin hetimor për gjendjen në PTK.

    Njohuritë e Sindikatës dhe informatat nga ta për zhvillimet në Telekom do të jenë shumë të rëndësishme për punën e Komisionit hetimor.

    Gjendja në PTK është jashtëzakonisht shqetësuese. Degradimi i kësaj ndërmarrje, ndër më të rëndësishmet publike të Republikës së Kosovës, ka një historik të gjatë me intensitet të ndryshëm, periudhë pas periudhe.

    Kontratat me palët e treta, të cilat telekomi i ka me bollëk (Z Mobile e të tjera), janë faktori që më së shumti kanë ndikuar në këtë degradim.

    Kur këto kombinohen me punësimin enorm nepotist, pa kurrfarë arsye e për nevoja familjare, klanore, partiake, si dhe me intervenimet qeveritare në pengimin e ndaljen e projekteve zhvilluese, atëherë rezultati nuk mund të jetë ndryshe nga ai të cilin e kemi sot në PTK. Këto dhe faktorët e tjerë përcjellës do të jenë subjekt hetimi të Komisionit hetimor.
    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!