×
  • Lajme
  • Lajme

    Vrasja e shqiptarëve në Studime të Vushtrrisë, Zoran Vukotiq do të rigjykohet për krime lufte

    Reporteri
    05 Prill 2019 | 12:24

    Serbi Zoran Vukotiq, i dënuar më gjashtë vite e gjysmë burgim për krime lufte në Kosovë, do të kthehet serish në gjykatë. Kjo pasi apeli ka kthyer në rigjykim pikat e aktakuzës në të cilat Vukotiq u lirua vitin e shkuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës. Rrjedhimisht, Apeli ka lënë në fuqi pjesën e aktgjykimit dënues ndaj serbit që ishte arrestuar e ekstraduar në Mali i Zi.


    Njoftimin e ka dhënë të premten zyra për informim e Gjykatës së Apleit, shkruan Reporteri.net.

    “Gjykata e Apelit e Kosovës, ka vendosur lidhur më ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe avokatëve mbrojtës të akuzuarit Z.V.. Në pjesën dënuese, aktgjykimi i shkallës së parë është vërtetuar, ndërsa në atë liruese, lënda i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje”, thotë njoftimi.

    Tutje, aty sqarohet se Gjykata Themelore në Mitrovicë, më datë 25 maj 2018, të akuzuarin Zoran Vukotiq e kishte shpallur fajtor vetëm për një pjesë të aktakuzës për krime luftë kundër popullatës civile, vepër kjo e dënueshme sipas ish-legjislacionit jugosllav, e sanksionuar po ashtu edhe më ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.

    “Për këtë e kishte dënuar më dënim unik prej gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim. Gjykata e Apelit nuk ka gjetur shkelje në këtë pjesë, dhe si rrjedhojë ankesat janë refuzuar si të pa bazuara”, thotë kumtesa, përcjellë Reporteri.net.

    “Për pjesën tjetër, ku akuzuari është liruar nga akuza, gjykatë gjen se arsyet përkitazi me faktet vendimtare, që ka dhënë gjykata e shkallës së parë janë të paqarta, kundërthënëse në masë të konsiderueshme dhe në kundërshtim me shkresat e lëndës lidhur me deklarimet e dëshmitarëve që në rastin konkret bëjnë që aktgjykimi i ankimuar të jetë i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, që i bije të jetë juridikisht është i paqëndrueshëm për ç’ arsye u deshtë të anulohet dhe të kthehet në rigjykim”, thuhet në njoftim.

    Për vrasjen e katër civilëve në Vushtrri – gjatë luftës së fundit në Kosovë – pas 17 vitesh u kap njëri nga vrasësit e kërkuar.

    49 vjeçari serb, Zoran Vukotiq ishte arrestuar në mars të vitit 2016, në Nikshiq të Malit të Zi. Më pas ai ishte ekstraduar në Kosovë.

    Arrestimi i tij ishte bërë në bazë të një fletë arrestit të Interpolit, i shpallur nga UNMIK.

    Vukotiq akuzohet se në vitin 1999 në Vushtrri vrau disa shqiptarë me anë të një sulmi ndaj konvojit të civilëve ndërmjet 2 e 3 majit, në Studime të Vushtrrisë. Për këto dyshime ai ishte liruar, ndërsa tash do të rigjykohet.

    I njëjti u dënua me gjashtë vite e gjashtë muaj për akuzat për torturuara nga shqiptarëve të burgosur në Burgun e Smrekonicës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!