×
  • Lajme
  • Lajme

    Vrasja me eksploziv në Gjakovë: Kamerat kanë filmuar autorin, dyshohet se është paguar nga Shqipëria

    Reporteri
    08 Prill 2019 | 14:28

    Në tetor të vitit që shkoi, Gjakova u trondit nga një vrasje e cila ishte e para e llojit të saj që u krye në Kosovë. Me eksploziv të montuar në pragun e shtëpisë në Smolicë, që u dirigjua nga distanca, mbeti i vrarë Haxhi Ahmeti, 61 vjeç. Por edhe pas gati gjashtë muajve, hetuesia kosovare nuk ka mundur ta zbulojë gjithë rastin. Sipas saj, vrasjen e 61-vjeçarit dyshohet se e porositi djali i vëllait të tij. Por vrasja, mund të jetë kryer me pagesë. Atë dyshohet se e ka kryer një shtetas nga Shqipëria. Gjithë këto pretendime pritet që t’i zbardhin kamerat e sigurisë, të cilat i kanë kapur disa momente të montimit të eksplozivit.


    Një vrasje profesionale u krye në Smolicë të Gjakovës, më 14 tetor të vitit të kaluar. Nga shpërthimi i një eksplozivi të montuar në derën e shtëpisë mbeti i vrarë Haxhi Ahmeti, 61 vjeç. Kjo vrasje ka habitur edhe Prokurorinë e cila po merret me hetimet.

    Dyshimet e para çojnë në një konflikt familjar që i ndjeri kishte pasur para pak kohësh me djemtë e vëllait të tij. Por ende asnjë njoftim zyrtar rreth kësaj çështjeje nuk është dhënë nga ana e organeve të hetuesisë.

    Pokurori i rastit në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, Ali Uka, ka deklaruar se janë disa prova të marra nga vendi i ngjarjes të cilat duhet të dërgohen për ekzaminim jashtë Kosovës.

    “Hetimet rreth kësaj çështjeje ende jemi duke i vazhduar. Mund të them se ende nuk kemi ndonjë rezultat. Janë disa prova të cilat duhet të dërgohen për ekzaminim jashtë Kosovës”, ka deklaruar për Express, Uka.

    E Prokuroria e Shtetit mund t’i bjerë në gjurmë personit, i cili dyshohet se e montoi eksplozivin në derën e Haxhiut, 61 vjeç. Kjo ngase kamerat e sigurisë e kanë kapur një pjesë të fytyrës së personit, i cili e kishte montuar bombën në tetorin e vitit të kaluar në Smolicë.

    “Janë kamerat e sigurisë të cilat e kanë kapur disa sekonda një person duke e montuar eksplozivin në derën e shtëpisë të së ndjerit. Tash të shohim a po mundemi ta identifikojmë atë përmes atyre sekondave të kamerave”, sqaron tutje prokurori Uka.

    Vrasja, sipas Prokurorisë, është kryer me pagesë. I dyshuari, familjar e 61-vjeçarit të ndjerë, besohet se e ka paguar një person me shtetësi nga Shqipëria që ta ekzekutojë atë. Kështu i thanë gazetës Express burime nga hetuesia kosovare.

    Familja e Haxhiut të ndjerë po e akuzon familjen e axhës së saj se ia vrau familjarin. Në një rrëfim, pak kohë pas vrasjes vajza e të ndjerit Fatime Ahmeti kishte folur për ngjarjen.

    “Baba jem asnjëherë nuk është merr me para me fajde. Kjo vrasje u ba me pagesë. Babën tim e ka vra djali i axhës (Bajram Ahmeti). Ky është merr me para me fajde e jo na. Ky kurrë nuk ka punu, qiky është merr me pare me fajde. Babën unë që 25 vite e kam në Gjermani. Nuk ka pasë se qysh me u merr me fajde”, kishte deklaruar ajo.

    Kjo vrasje është cilësuar si e para e llojit të saj në të gjithë Kosovën. Zbardhja komplete e këtij rasti mund të marrë kohë. Analizat e grimcave të eksplozivit të cilat u gjetën në trupin e Haxhi Ahmetit do të dërgohen për ekzaminim në SHBA.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!