×
  • Lajme
  • Lajme

    Vuçiç i kthehet nacionalizmit dhe iluzioneve: As një pëllëmbë të Kosovës nuk e japim

    Reporteri
    15 Shtator 2022 | 14:48

    Gjatë shënimit të së ashtuquajturës “dita e flamurit serb”, Presidenti i Serbisë u thirri emocioneve nacionalisteve se “nuk e jep asnjë pëllëmbë të Kosovës”, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Përveç kësaj, Vuçiç jehoi edhe në diskurse drejt fuqive të mëdha, se “mund të jeni të mëdhenj e të fuqishëm, drejtësinë dhe ligjin s’e mundni dot”.

    “Ata e sulmuan Kosovën me çdo kusht dhe tani duan të na e marrin duarsh, të kryejnë atë që nisën. Mund t’ju them vetëm një gjë. Doni të na merrni tokën në gjatësi e gjerësi, por ne s’ua japim as edhe një pëllëmbë. Mund të jeni të fuqishëm e të mëdhenj, por s’e mundni dot drejtësinë dhe ligjin. S’mund të mposhtni atë që ndjejmë, unitetin e popullit tonë”, ka thënë Aleksandër Vuçiç, transmetuan mediat serbe.

    Ndërkaq vetëm dy ditë më parë në seancën parlamentare në Kuvendin e Serbisë ku u diskutua për dialogun e Brukselit, Vuçiç tha gjëra tjera.

    Dëshirat ndaj Kosovës i keni maksimale por mundësitë të pakëta, u ka thënë deputetëve opozitarë në seancën e thirrur për të diskutuar për Kosovën në Parlamentin e Serbisë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Qeveria e tij, tha Vuçiç, rreth Kosovës ndjek politika “mes asaj se çfarë është e dëshirueshme dhe çfarë është e mundshme”.

    “Njerëzit shpesh thonë se Kosova ka qenë gjithmonë e jona. Kjo thjesht nuk është e vërtetë, ne kemi pasur gjithashtu edhe ambasadorë atje”, ka thënë Vuçiç.

    Presidenti serb u ankua se që nga 1961 e deri më 1991, popullata serbe në Kosovë ka rënë prej 27% në 11%, ndërsa tha se sot, sipas përllogaritjeve të Serbisë, janë afro 6.5% serbë.

    “Por më lejoni t’ua qartësojë menjëherë. Republika e Serbisë as direkt as indirekt nuk do ta njohë pavarësinë e njëanshme të Kosovës, e as nuk do të dorëzojë luftëne saj legjitime për interesat shtetërore dhe nacionale të saj, dhe luftën për respektimin e ligjit ndërkombëtar” ka thënë Vuçiç.

    Ai tha se qytetarëve serbë u kërkon të jenë racionalë dhe realistë. “Të dinë se çfarë është e mundshme”, tha Vuçiç, raporton Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!