Autor: Xhezair Dashi
Serbët kërkojnë në mënyrë të pakushtëzuar themelimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, i tha presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill.
Përveç kësaj, Vuçiç i tha Hill-it që serbët kërkojnë që Kosova të mos mund t’i dërgojë njësitet speciale policore në Veri të Kosovës pa pëlqimin e KFOR-it dhe katër kryetarëve serbë të komunave në veri.
Përmes një komunikate të lëshuar për media nga presidenca serbe, thuhet se Aleksandër Vuçiç dhe Christopher Hill diskutuan për raundin e fundit të dialogut në Bruksel, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në lidhje me Asociacionin, qeveria kosovare ka refuzuar themelimin e asaj duke u thirrur në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2015, e cila tha se marrëveshja e nënshkruar në Bruksel bie ndesh me më shumë se 20 nene të Kushtetutës së Kosovës.
Ndonëse Gjykata Kushtetuese e ka shpallur në këto pika antikushtetuese, ajo ka thënë se Asociacioni mund të bëhet sipas marrëveshjes së arritur në 2013.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të ishte e nevojshme që Asociacioni të ndërtohej mbi baza zhvillimore, ekonomike ose gjeografike, por se në asnjë mënyrë ajo nuk mund të ndërtohet mbi baza etnike.
Në anën tjetër, Serbia kërkon që Asociacioni të formohet në bazë të Kushtetutës së Serbisë, ndonëse vet e kanë nënshkruar më 2015 gjatë kohës së kryeministër i Kosovës ishte Isa Mustafa i cili kishte insistuar që para se Asociacioni të formohet, ai duhet t’i nënshtrohet testit kushtetues të Kosovës.
Në një kusht të tillë të vendosur nga ish-kryeministri Mustafa, ndonëse me rezistencë të madhe, edhe pala serbe ishte pajtuar me të, çfarë sot e konteston.
Qëndrimin amerikan sa i përket Asociacionit, së fundi e ka shprehur edhe zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, i cili u ka bërë thirrje qeveritarëve kosovarë ta formojnë atë, por në të njëjtën kohë ka thënë se nuk bën ta cënojë funksionalitetin e vendit.
Escobar është shprehur se Asociacionin nuk duhet të krijoj “shtet brenda shtetit”, por se duhet t ndërtohet mbi modele ekzistuese evropiane, modele të cilat aplikohen në shoqëritë multi-etnike evropiane. /Reporteri.net/.