×
  • Lajme
  • Lajme

    Vuçiç pas takimin me Stoltenberg: Respektojmë KFOR-in, nuk krijuam asnjë incident

    Reporteri
    17 Gusht 2022 | 16:30

    “E respektojmë rolin e [misionit paqeruajtës të NATO-s] KFOR-it”, tha Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në deklarimin e tij pas takimit me Sekretarin Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, transmeton “Reporteri.net”.

    Presidenti serb e falënderoi shefin e NATO-s, për siç tha ai, “vullnetin e tij për të dëgjuar pozicionin e Serbisë” derisa shtoi se “nuk ka nevojë që të shohin të gjitha anët me një palë sy”.

    “Stoltenberg kontaktoi komandantin e KFOR-it në mbrëmjen kritike rreth orës 21:00, që kishte efekt qetësues”, tha Vuçiç referuar mbrëmjes së 31 gushtit.

    “Do të vazhdojmë të respektojmë mandatin e KFOR-it”, tha presidenti serb, derisa shtoi edhe se “besoj se gjithmonë do të mund të gjejmë mirëkuptim të ndërsjellë”.

    Në lidhje me takimin e nesërm të Nivelit të Lartë në Bruksel, Vuçiç tha se “do të jenë bisedime të vështira sepse ne nuk pajtohemi për asgjë”.

    “[Serbia] do t’i qëndrojë ligjit ndërkombëtar, Kartës së OKB-së, Marrëveshjes së Brukselit”, tha ai.

    Në lidhje me tërheqjen e vërejtjes së Stoltenberg për pozicionimin karshi agresorit rus, Vuçiç tha se “Serbia mbetet ushtarakisht neutrale, do të mbetet ashtu dhe nuk do të marrim vendime”.

    “Ne kemi një histori që nuk është e lehtë, por duam të forcojmë marrëdhëniet me NATO-n dhe KFOR-in dhe të shmangim eskalimet në konflikt. Ne nuk kemi krijuar ndonjë incident, por besoj se më i kemi mërzitur të gjithë perëndimin”.

    Deklarimi i Stoltenberg

    Për të përmirësuar situatën në terren kërkohet përgjegjësia e të dyja palëve, tha Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, transmeton “Reporteri.net”.

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, Stoltenberg tha se, “është i gatshëm të intervenojë po qe se kërcënohet stabiliteti” në Veri të vendit.

    Në dritë të kësaj, shefi i NATO-s u bëri thirrje liderëve që “të jenë të përmbajtur dhe t’i shmangen dhunës”.

    “NATO-ja vazhdon të monitorojë situatën në rajon dhe KFOR-i mbetet i përqendruar në mandatit e saj të dhënë nga Kombet e Bashkuara”.

    “Po qe se kërcënohet stabiliteti, KFOR-i është i gatshëm të intervenojë”, tha ai.

    Për të gjetur zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, Jens Stolternberg tha se nevojitet konstruktivitet në dialogun e fascilituar nga BE.

    “E mirëpres raundin e ri të dialogut që do të ndodh nesër. Nxis të gjitha palët të tregojnë fleksibilitet dhe të jenë konstruktivë”, tha Stoltenberg.

    Përveç kësaj, presidentit serb, sekretari i NATO-s ia theksoi nevojën që t’i bashkëngjitet komunitetit ndërkombëtar në dënimin e invazionit të paprovokuar rus mbi Ukrainën.

    Në ora 17:00, Shefi i NATO-s do të takohet edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!