Lëvizja Vetëvendosje Qendra në Prishtinë ka kundërshtuar vendimin për dhënien në shfrytëzim për 50 vjet të pronës së Tulltores, duke e kritikuar procedurën e ndjekur nga qeverisja e Përparim Ramës.

LVV ka bërë të ditur se bëhet fjalë për rreth 45 mijë metra katrorë pronë komunale, të cilën Komuna e Prishtinës e kishte blerë për rreth pesë milionë euro, ndërsa tash i është dhënë për shfrytëzim kompanisë private BGC SH.P.K.

Sipas LVV-së, vendimi e lidh pronën e kryeqytetit për pesë dekada dhe, për këtë arsye, kërkon transparencë të plotë, vlerësim të pavarur të pasurisë, konkurrencë të mirëfilltë dhe garanci financiare.

Reklamë

“50 vjet janë 12 mandate e gjysmë të një qeverisjeje komunale”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Partia ka ngritur shqetësime edhe për përvojën e kompanisë për të realizuar një projekt të përmasave të Tulltores. Sipas saj, nuk është bërë publike përvoja e BGC SH.P.K. në projekte të ngjashme, ekipet profesionale që do të angazhohen apo dëshmitë për kapacitetet financiare dhe organizative të operatorit.

LVV ka theksuar se projekti parashihet të përfshijë mbi 42 mijë metra katrorë ndërtime, me hotel, restorante, galeri, auditorium, hapësira teknologjike, studio, zyra, hapësira afariste dhe parkingje.

Po ashtu, LVV ka ngritur pikëpyetje lidhur me vlerën e pronës dhe përfitimet e Komunës nga marrëveshja. Sipas saj, marrëveshja parasheh investime deri në 10 milionë euro gjatë pesë vjetëve të parë dhe deri në 20 milionë euro në fazat e mëvonshme, ndërsa Komunës i takojnë 15 për qind e të hyrave bruto.

LVV pretendon se gjatë shtatë viteve të para Komuna nuk do të përfitojë të hyra, ndërsa shifrat e përmendura nga Përparim Rama për rreth një milion euro në vit dhe mbi 50 milionë euro gjatë 50 viteve i konsideron parashikime që duhet të shoqërohen me garanci konkrete.

Reklamë

Vendimi për Tulltoren është miratuar më 11 shtator në Kuvendin Komunal të Prishtinës me 31 vota për, 13 kundër dhe asnjë abstenim.

LVV ka kërkuar që të shqyrtohet ligjshmëria e procedurës, dokumentacioni, vlerësimi i pronës, kushtet e marrëveshjes dhe kapacitetet e operatorit.

Po ashtu, kjo parti ka bërë të ditur se do të ndjekë ankimet administrative dhe, nëse është e nevojshme, rrugën gjyqësore, ndërsa ka paralajmëruar edhe kallëzim penal për, siç pretendon, shkelje të interesit të Komunës dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në fund, LVV ka ngritur dyshime për “klientelizëm dhe korrupsion” dhe ka kërkuar hetim të plotë nga Prokuroria për mënyrën se si është përgatitur, negociuar dhe miratuar marrëveshja.

Reklamë

“Tulltorja është pronë e Prishtinës. Prishtina nuk është plaçkë”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Komunikata e plotë: 

Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra në Prishtinë, kundërshton vendimin e qeverisjes së Përparim Ramës për dhënien në shfrytëzim për 50 vjet të pronës së Tulltores dhe tërë procedurën që i ka paraprirë këtij vendimi.

Bëhet fjalë për rreth 45 mijë metra katrorë pronë komunale, mbi 4.5 hektarë tokë në një pjesë me vlerë të madhe dhe mundësi të jashtëzakonshme zhvillimi për kryeqytetin. Komuna e kishte blerë këtë pronë për rreth 5 milionë euro. Tani, me vendimin e Përparim Ramës, ajo i jepet për gjysmë shekulli kompanisë private BGC SH.P.K.

Reklamë

50 vjet janë 12 mandate e gjysmë të një qeverisjeje komunale. Vendimi e lidh Prishtinën edhe për 5 dekada pasi kjo qeverisje të ketë përfunduar. Prandaj kërkohet së paku transparencë e plotë, vlerësim i pavarur i pasurisë, konkurrencë e mirëfilltë, garanci të forta financiare dhe dëshmi se qyteti përfiton në përpjesëtim me atë që jep.

Këto nuk janë sqaruar në asnjë pike para qytetarëve.

Shqetësim të veçantë ngre zgjedhja e kompanisë. Nga të dhënat e bëra publike nuk del se BGC SH.P.K. nuk ka portofol projektesh të krahasueshme me përmasën dhe natyrën e Tulltores. Nuk njihet si kompani me emër ndërkombëtar në zhvillimin e komplekseve të mëdha publike, kulturore e teknologjike. Nuk është paraqitur përvojë e saj në ndërtimin e sallave, galerive, qendrave kulturore apo hapësirave të mëdha shumëfunksionale. Nuk është bërë publik as ndonjë ekip arkitektësh, inxhinierësh, projektuesish e drejtuesish me emër dhe përvojë të dëshmuar në vepra të kësaj natyre.

Sot edhe qendrat e mëdha tregtare në Kosovë zhvillohen nga bashkime investitorësh, ndërtuesish, projektuesish, financuesish dhe operatorësh të specializuar. Tulltorja është shumë më e ndërlikuar, sepse në një hapësirë bashkon veprimtari ekonomike, kulturore, teknologjike, hoteliere dhe publike. Përzgjedhja e një kompanie pa përvojë të dëshmuar publikisht në një kompleks të krahasueshëm kërkon, së paku, një shpjegim shumë serioz nga kryetari i Komunës.

Reklamë

Tulltorja parashihet të ketë mbi 42 mijë metra katrorë ndërtime, me hotel, restorante, galeri, auditorium, hapësira teknologjike, studio, zyra, hapësira afariste, parkingje dhe shërbime të tjera. Një kompleks i tillë duhet ndërtuar, vënë në punë dhe administruar për dekada. Komuna duhet të tregojë mbi çfarë dëshmish është bindur se BGC SH.P.K. dhe pronari i saj, Agim apo Blerim Gërbeshi, ose kushdo që është pas tyre, kanë aftësinë profesionale, organizative dhe financiare për ta marrë përsipër një ndërmarrje të tillë për 50 vjet.

Vetëm me çmimet e kërkuara sot për truall ndërtimor në atë zonë, 45 mijë metra katrorë tokë do të përfaqësonin një vlerë prej dhjetëra milionë eurosh. Një ofertë konkrete për truall ndërtimor në mes Arbërisë dhe Tophanes, me koeficient ndërtimi 4.0, e vendos çmimin rreth 119 mijë euro për ari. Me këtë pikë krahasimi, 450 ari do të kapnin vlerën mbi 53 milionë euro. Dhe Përparim Rama po e lidh një pasuri të kësaj përmase me një privat për 50 vjet.

Kjo bëhet edhe më e rëndësishme sepse përfitimi i Komunës varet nga mbarëvajtja e kompleksit. Marrëveshja parasheh investime deri në 10 milionë euro gjatë pesë vjetëve të parë dhe deri në 20 milionë euro në fazat e mëvonshme, ndërsa Komunës i takojnë 15 për qind e të hyrave bruto. Shtatë vitet e para asnjë cent për komunën – sipas planit të biznesit që na është prezentuar.

Përparim Rama ka folur për rreth një milion euro të hyra në vit dhe mbi 50 milionë euro gjatë pesëdhjetë vjetëve. Por kjo shumë mbetet parashikim përderisa nuk është bërë e ditur e ardhura më e vogël e garantuar për Komunën. Duhet të bëhen publike llogaritjet mbi të cilat mbështetet kjo shifër, garancitë që ka dhënë operatori dhe pasojat nëse zotimet nuk përmbushen.

Këtu qëndron edhe thelbi i marrëveshjes. Prishtina jep menjëherë 45 mijë metra katrorë pronë dhe të drejtën e shfrytëzimit të saj për 50 vjet, ndërsa përfitimin e vet e lidh me të ardhura të ardhshme të një operatori, përvoja e të cilit për një ndërmarrje të tillë nuk është dëshmuar para publikut.

Më 11 shtator, vendimi kaloi në Kuvendin Komunal me 31 vota për, 13 kundër dhe asnjë abstenim. Por përgjegjësia kryesore politike dhe institucionale për këtë marrëveshje i takon kryetarit Përparim Rama. Ai duhet të shpjegojë përzgjedhjen e operatorit, kushtet e marrëveshjes, vlerësimin e pronës, përfitimin e Komunës dhe garancitë për realizimin e projektit.

PDK-ja e mbështeti këtë vendim, ndërsa heshtja e asamblistëve të tjerë përballë tjetërsimit afatgjatë të pasurisë publike nuk i çliron ata nga përgjegjësia politike.

Tërësia e rrethanave, mungesa e transparencës, mënyra e përzgjedhjes së operatorit, mungesa e përvojës së dëshmuar, shpërpjesëtimi ndërmjet asaj që jep Komuna dhe asaj që i garantohet, si dhe lidhja 50-vjeçare e një pasurie kaq të madhe publike, ngre dyshim të fortë për klientelizëm dhe korrupsion.

Ky dyshim kërkon sqarim institucional dhe hetim të plotë nga Prokuroria të mënyrës se si është përgatitur, negociuar dhe miratuar kjo marrëveshje.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra në Prishtinë, do ta kundërshtojë vendimin me të gjitha mjetet institucionale dhe ligjore. Do të kërkojmë shqyrtimin e ligjshmërisë së procedurës, dokumentacionit, vlerësimit të pronës, kushteve të marrëveshjes dhe aftësive të operatorit. Do të ndjekim ankimin administrativ dhe, sipas nevojës, edhe rrugën gjyqësore. Por edhe kallzimin penal për shkelje të interesit të komunës dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Tulltorja duhet të zhvillohet. Prishtinës i duhen investime, kulturë, art, teknologji, vende pune dhe hapësira të reja publike. Por pasuria e qytetit duhet të zhvillohet duke e shtuar pasurinë e qytetit dhe duke i sjellë dobi bashkësisë. Plaçkitja e pronës publike nuk mund të pagëzohet si zhvillim që të bëhet e pranueshme. Prona e Prishtinës është pasuri e brezave. Asnjë kryetar nuk ka të drejtë ta trajtojë si plaçkë.
Tulltorja është pronë e Prishtinës. Prishtina nuk është plaçkë.