VV nis në Vushtrri tubimet për të kërkuar zgjedhje të reja

Kreu i VV-së, Albin Kurti gjatë ditës ka qëndruar në Vushtrri në takim me qytetarët, nga atje, ai akuzon qeverinë e Kosovës si të korruptuar, pasi që në të gjitha anketat e qytetarëve brengat kryesore të tyre janë papunësia dhe korrupsioni.


Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media bën të ditur se ka mbajtur një tubim me qytetarët e Vushtrrisë, brengat kryesore të së cilëve janë papunësia e korrupsioni të shkaktuara nga “PANhajnia”.

“Brengat kryesore të qytetarëve të Kosovës, nëpër çdo anketë, janë papunësia e korrupsioni. Të dyja këto shqetësime shkaktohen nga qeverisja e korruptuar dhe e keqe, nga PANqeveria. Nga skandalet e përditshme te rehatimet e familjarëve e deri te milionat si dëmshpërblime nëpër kompanitë e huaja e pushimet super luksoze, kjo PANqeveri me të drejtë mund të quhet PANhajni”, thuhet në komunikatë.

Sipas Vetëvendosjes Republikës së Kosovës i duhet një mendësi e re qeverisëse që kthen shpresën për të jetuar në vend.

“Që taksat e qytetarëve nëpërmjet buxhetit i kthen në zhvillim dhe mirëqenie. Kosova jo vetëm që nuk ka më kohë për të humbur, por tashmë ka humbur shumë kohë”, thotë Vetëvendosje.

Më tutje thuhet se angazhimi e mobilizimi qytetar gjithandej nëpër Kosovë është hapi i parë për të larguar këtë mendësi të gabuar nga pushteti.

“Nga qyteti në qytet, nga tubimi në tubim, së bashku me qytetarët e Republikës do të tregojmë se vullneti i popullit të Kosovës është për të ndryshuar. Një gjë të tillë sot e filluam në qytetin e Vushtrrisë, në sheshin “Adem Jashari”, ku përplot qytetarë me shumë entuziazëm e vendosmëri na pritën drejt rrugëtimit të ri për ta larguar këtë qeverisje të stërkequr”, thuhet në komunikatë.