×
  • Lajme
  • Lajme

    Xhelal Sveçla që dikur si aktivist rrokulliste veturat e EULEX-it, sot si Ministër merr pjesë në nderimin me medalje të xhandarëve të saj

    Reporteri
    11 Maj 2023 | 17:04

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të enjten e 11 majit ka marrë pjesë ceremoninë e ndarjes së medaljeve për 34 xhandarë të EULEX-it, 24 italianë dhe 10 lituanezë në Prishtinë.

    Njoftimi është dhënë nga vet EULEX që gjithashtu ka shpërndarë pamjet nga ceremonia. Aty shihet edhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, që në 2009’ën si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje shfaqte “telashe” të madhe me vetë ekzistencën e EULEX’it, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Më 11 maj, 24 xhandarë italianë dhe 10 lituanezë të Njësisë Policore të Specializuar Rezervë (NJPS) të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) morën medaljen për shërbim në Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP), e cila jepet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së të gjithë grave dhe burrave të merituar që shërbejnë në misione të ndryshme të CSDP-së në mbarë botën. Ceremonia për ndarjen e medaljeve për shërbim u organizua nga Shefi i Misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemark në selinë e këtin Misioni në Prishtinë, në prani të Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shefave të misioneve të shteteve anëtare të BE-së, Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm për Burime të Policisë së Kosovës, Dejan Jankovic, Komandantit të Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe të KFOR-it, Kolonel Ruggiero Capodivento, si dhe përfaqësuesve të organizatave të tjera ndërkombëtare në Kosovë dhe mysafirëve të tjerë”, njoftoi EULEX.

    Tani Ministër i Qeverisë së Kosovë, Xhela Svecla që e sot i “nderoi” me pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e nderimit me medalje të xhandarëve të EULEX’it, në 15 vjet më parë, bashkë me Glauk Konjufcën e disa aktivistë të tjerë të LVV’së kishin rrotulluar hiq më pak se 27 vetura të Misionit Europian për Sundimin e Ligjit, si shenjë proteste ndaj pranisë së tyre në Kosovë.

    Për rastin, Svecla dhe të tjerët ishin arrestuar nga Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës. Në shtator të po atij viti, Prokuroria kishte ngritur një aktakuzë për 27 aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje për veprat penale “Pjesëmarrje në Grup” dhe “Dëmtim i pasurisë së luajtshme”, e madje edhe kishte nisur një proces gjyqësor ndaj tyre.

    Mirëpo, kjo procedurë gjyqësore ndaj tyre asnjëherë nuk ka përfunduar me një aktgjykim, pasi që të 27 të akuzuarit asnjëherë nuk u janë përgjigjur thirrjeve të gjykatës, dhe kjo lëndë më pas kishte arritur parashkrimin apsolut.

    Kështu, Gjykata Themelore e Prishtinës në shkurt të vitit 2020, i ka hedhur poshtë akuzat për rastin e rrotullimit të xhipave të EULEX-it nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Ndryshe, Xhandarët e shpërblyer sot janë pjesë e NJPSR-së të siguruar nga Forca Evropiane e Xhandarmërisë (EUROGENDFOR). Ata zbarkuan përkohësisht në Kosovë në nëntor 2022 me qëllim të përforcimit të kapaciteteve të Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) të EULEX-it.

    NJPSR përbëhet nga 24 xhandarë nga Karabinieria italiane dhe 10 xhandarë lituanezë dhe ka punuar krah për krah me NJPS-në e EULEX-it, e cila aktualisht përbëhet nga 101 policë të dërguar nga Polonia. NJPS-ja e EULEX-it është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës, që është pjesë e një mekanizmi tre nivelësh të reagusve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti kurse NATO/KFOR-i është i treti. Qëllimi kryesor i saj është që ta mbështesë stabilitetin e Kosovës dhe të kontribuojë në sigurinë e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

    Nga data 14 mars deri më 15 korrik 2022, EULEX-i e përforcoi përkohësisht NJPS-në e tij me një Njësi Rezervë prej 70 xhandarësh nga Portugalia dhe Franca e siguruar nga EUROGENDFOR. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!