×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Lajme / Gjakovë

    Zëvendësministri i Qeverisë Kurti në gjendje të dehur godet me veturë zyrtare motoçiklistin, lirohet në procedurë të rregullt

    Autor:Egzona Krasniqi
    09 Tetor 2024 | 9:17

    Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku ka shkaktuar mbrëmë një aksident trafiku.

    Gazeta online Reporteri.net mëson se zëvendësministri i Qeverisë Kurti ka goditur me veturë një motoçiklist. Nga burime brenda policisë, Reporteri.net merr vesh se zëvendësministri Tafarshiku ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur mbrëmë e ka shkaktuar aksidentin.

    Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00 në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë.

    Ai ishte me veturë zyrtare kur duke mos përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës ka goditur motoçiklistin, duke i shkaktuar lëndime trupore.

    Pas rastit, Tafarshiku është shoqëruar në polici ku i është bërë edhe testi i alkoolit dhe ka rezultuar pozitiv. Sipas testit të policisë në vend ngjarje, rezultoi se zëvendësministri Ali Tafarshiku kishte konsumuar 2.30% promil alkool, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Gazeta online Reporteri.net po ashtu merr vesh se i njëjti pas rastit dhe intervistimit në polici është liruar në procedurë të rregullt.

    Personi që është goditur nga vetura zyrtare me të cilën po udhëtonte zëvendësministri është një 15 vjeçar, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Personi që u godit me veturë zyrtare nga zv.ministri i dehur ishte 15 vjeçar, pushtetari u lirua menjëherë pas deklaratës në Polici

    Në konfirmimin e Policisë rajonale të Gjakovës për Reporteri.net nuk përmendet se aksidenti është shkaktuar nga në veturë zyrtare, e as që personi që po e drejtonte atë, që në këtë rast zëvendësministri Tafarshiku ka rezultuar se ishte nën ndikim të alkoolit në momentin kur ka shkaktuar aksidentin.

    “Me datë 08.10.2024 rreth ores 22:00 në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë, ka ndodhur një aksident trafiku mes një veture dhe një motoçiklete. Përveç dëmeve materiale, një person (ngasësi i motoçikletës) ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Me vendim të prokurori të shtetit rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt”, thuhet në konfirmimin e policisë rajonale të Gjakovës për gazetën online Reporteri.net. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!