×
  • Lajme
  • Raporto
  • Zgjedhjet 2026

    As 2 mijë vota në krejt Kosovën, Dardan Molliqaj: S’dorëzohemi

    Reporteri
    10 Qershor 2026 | 19:02
    Foto: Adriatik Jakupi, Reporteri

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, ku partia e tij ka marrë vetëm 1,883 vota, apo 0.27% të votave të përgjithshme.

    Molliqaj ka pranuar se rezultati nuk ka qenë ai që e kanë pritur, por ka theksuar se angazhimi politik i PSD-së nuk matet vetëm me numra.

    “Të dashur qytetarë, rezultati i zgjedhjeve qysh e keni pa edhe krejt ju nuk doli ai që e dëshiruam dhe e pritëm,” ka deklaruar Molliqaj.

    Ai ka shtuar se puna e tyre politike nuk përfundon me këto rezultate, duke theksuar se PSD do të vazhdojë aktivitetin e saj.

    “E vërteta është që angazhimi ynë për politikën është përtej rezultateve. Kjo nuk nënkupton që s’i duam votat, kjo nuk nënkupton që s’i duam rezultatet, ama jo me çdo kusht,” ka thënë ai.

    Molliqaj ka folur edhe për mbështetjen që kanë marrë nga qytetarët, duke thënë se ajo që ndodhi është më shumë refuzim politik sesa dështim elektoral.

    “Shumë prej juve na dëgjuat, na shpërfillët, na pëlqyet, diskutuat e kritikuat mbi atë që ne e bëmë. Dikush kishte të drejtë, dikush s’kishte të drejtë. Më shumë mundemi me thënë që është refuzim për ta votuar PSD se sa në vetvete rezultat i dobët,” ka deklaruar ai.

    Në fund, Molliqaj ka theksuar se PSD nuk do të tërhiqet nga skena politike.

    “Kjo i ka dy rrugë, njëra është dorëzimi e tjetra beteja. Beteja me ty dhe secilin prej jush për me ju bind në rrugëtimin tonë politik… Ky rrugëtim nuk ka nisur dje dhe nuk përfundon sot. Rrugëtimin kemi me ba bashkë, sepse Kosova ka nevojë për demokraci dhe për subjekte politike që merren me ide politike,” ka thënë Molliqaj./ Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!