Zëdhënësi i LDK’së, Besian Mustafa, ka deklaruar se listën e kandidatëve për deputetë të kësaj partie e ka përpiluar ish-Presidentja Vjosa Osmani, si bartëse e listës, shkruan Reporteri.net.

Mustafa tha se këto janë praktika të LDK’së, duke shtuar se përpilimi i listës bëhet në koordinim të plotë edhe me Lumir Abdixhikun, si kryetar partie.

“Listën përfundimtare nuk e di. Është një listë, që conform statutit dhe praktikave të LDK’së, e krijon ose e përpilon bartësi i listës, në këtë rast znj. Osmani, natyrisht në koordinim të plotë edhe me kryetarin e partisë z.Abdixhiku”, ka deklaruar Mustafa në ATV.

Reklamë

I pyetur pse nuk po publikohet ende lista, ai tha se kjo tani është çështje administrative, që varet nga regjistrimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Afati përfundon sonte në mesnatë.

Disa prej kandidatëve veçse kanë zbuluar numrat me të cilët kandidojnë.

Hykmete Bajrami ka mbetur jashtë dhjetëshes së parë. Ajo ka bërë me dije se i është kumtuar nga zyra e LDK’së, se numri i saj në listë është 12.

Edhe për Avdullah Hotin ka pasur raportime se ka mbetur jashtë dhjetëshes së parë.

Reklamë

“Numri i vetëm që ka rëndësi është numri i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Numrat e tjerë i përcaktojnë qytetarët. I juaji, Avdullah Hoti”, shkroi Hoti pas raportimeve.

Të dy këta janë deklaruar kundër kthimit të ish-Presidentes Vjosa Osmani në LDK./Reporteri.net