Kandidati për deputet nga radhët e LDK’së, Blerim Kuçi, ka alarmuar për situatën me të cilën mund të përballet vendi pas 4 tetorit.
Ai ka thënë se pas kësaj date, Kosova rrezikon të mbetet pa president dhe pa ushtrues detyre dhe se vendi hynë në fazën më kritike kushtetuese.
Sipas Kuçit, ky është projeksion i paramenduar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Mbi një vit jemi me qeveri në detyrë. Jemi me ushtrues detyre të Presidentit dhe me 4 tetor kur kalon afati kushtetues, rrezikojmë të mbesim pa president dhe pa ushtrues detyre. Pas 4 tetorit, Kosova hynë në fazën më kritike kushtetuese të historisë së saj. Ky është një kaos, një turbulencë e plot e funksionimit të shtetit…Ky është një projeksion i paramenduar i Albin Kurtit, zyrave të tij dhe ambienteve vendimarrëse jashtë Kosovës që veç ai i di”, ka deklaruar Kuçi.
Ai ka thënë se do bëj përpjekje me tërë potencialin e tij që të shmanget një situatë e tillë.
“Kosova ka nevojë për institucione të qëndrueshme, vendimmarrje të përgjegjshme dhe fokus tek zhvillimi ekonomik. Qytetarët meritojnë zgjidhje konkrete, jo kriza të pafundme politike dhe zgjedhje të njëpasnjëshme. Është koha për të dalë nga bllokadat institucionale”, ka thënë Kuçi./Reporteri.net