Kryetari i Degës së LDK’së në Podujevë, Ekrem Hyseni, ka deklaruar se përfshirja e figurave politike në listat zgjedhore ka qenë pjesë e një vullneti të brendshëm për të ndërtuar një listë përfaqësuese dhe me kontribut të gjerë.

Hyseni ka thënë se ai personalisht ka qenë pro përfshirjes së ish-nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu në listën zgjedhore të partisë, teksa tha se ka pasur komunikim edhe nga dega edhe nga qendra me Veliun.

Veliu refuzoi të përfshihet në listën e LDK’së, duke thënë se nuk lejon të përdoret.

Reklamë

“Unë kam qenë ai që e kam propozuar Agim Veliun. Kemi pas komunikim edhe nga qendra, edhe nga dega që kanë komuniku me z.Veliu, asnjëherë s’kemi marrë përgjigje negative”, ka deklaruar Hyseni.

Ai ka shtuar se, sipas tij, brenda strukturave partiake ka ekzistuar një disponim që në listë të jenë të gjithë ata që mund të japin kontribut politik dhe elektoral.

“Nuk ka shprehur gatishmëri Veliu me qenë pjesë e listës. Kemi pasur kushdo që ka qëndrim pozitiv”, ka thënë ai në RTV Dukagjini, duke theksuar se procesi ka qenë i hapur për diskutim.

Hyseni ka mohuar se ka pasur refuzim të drejtpërdrejtë ndaj përfshirjes së Veliut dhe ka theksuar se propozimi i tij ka qenë pjesë e diskutimeve në kryesi.

Ai gjithashtu ka thënë se një pjesë e zhvillimeve të fundit i ka marrë vesh më vonë, duke e cilësuar situatën si të papritur për të në disa aspekte.

Reklamë

“Në mbledhje e kam thënë që Veliu duhet me qenë pjesë e listës, me një fushatë dinjitoze e me program”, ka deklaruar Hyseni.

Ai ka shtuar se qëndrimi i tij mbetet i njëjtë dhe se, sipas tij, oferta për bashkëpunim dhe përfshirje në listë “vlen ende” për të gjithë ata që mund të kontribuojnë në kauzën politike të partisë.

Hyseni ka theksuar se LDK duhet të mbetet e hapur për figura që, sipas tij, mund të kontribuojnë në projektin politik dhe në përfaqësimin e votuesve të saj.

Pas deklaratës së Hysenit, Veliu ka thënë se askush nga dega nuk e ka kontaktuar për përfshirje në listë.

Reklamë

“Po më vjen keq që ai po shërbehet me të pavërteta. Askush nga dega nuk më ka kontaktuar, as nuk është konsultuar me mua për përfshirje në listë. Nuk e di çfarë ka ndodhë kësaj radhe, unë nuk kam ndryshuar asgjë”, ka thënë Veliu.

“Qendra e ka pas një lojë të çuditshme…ka qenë një lojë shumë e ndytë që Agim Veliu të shkojë të trokasë në zyrat e LDK’së dhe të rrëfehet te Kryetari i LDK’së. Unë nuk kam pas asnjë arsye që të shkojë e trokas në derën e askujt, sepse unë nuk kam dalë nga LDK. Mua më ka përjashtuar nga LDK’ja Lumir Abdixhiku me disa kolegë të tij…S’kam kurfarë nevoje t’i kërkojë falje askuj”, tha Veliu.

Ai tha se LDK nuk është dashur ta pres ditën e fundit për ta përfshirë në listë.

“Përpjekje jo e sinqertë që mua të më detyrojnë të trokasë në derën e Lumir Abdixhikut”, shtoi ai.

Reklamë