Në ditën e dytë të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, kandidatët kryesorë të partive politike kanë vazhduar aktivitetet e tyre në terren, duke prezantuar programet dhe zotimet për qeverisjen e ardhshme.
Në përgjithësi, dita e dytë e fushatës është karakterizuar nga prezantimi i planeve ekonomike, premtimeve për mirëqenie sociale dhe fokusit në zhvillimin e bizneseve dhe punësimit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë vizitave në biznese në Prishtinë dhe Klinë, ka theksuar mbështetjen për ekonominë kreative, duke njoftuar planin për ndarjen e 200 milionë eurove për këtë sektor.
Ai tha se Qeveria do të vazhdojë mbështetjen e fuqishme për fabrikat dhe industrinë prodhuese në vend.
Nga ana tjetër, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka prezantuar pesë zotime kryesore, të cilat përfshijnë rritjen e të ardhurave të qytetarëve, investime në energji dhe infrastrukturë, përmirësimin e sistemit shëndetësor, reformimin e arsimit dhe forcimin e drejtësisë.
Ai ka theksuar se qëllimi i tij është dalja nga kriza ekonomike dhe rritja e mirëqenies së qytetarëve.
Në një tubim të hapur me qytetarët e Gjakovës, Hamza ka thënë se qytetarët janë lodhur nga krizat, nga stagnimi dhe nga mungesa e perspektivës.
Ai ka thënë se ndryshimi ka nisur dhe nuk kthehet mbrapa.
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubime ne Kaçanik e Shtime, ka premtuar mbështetje për të rinjtë e diplomuar, duke paralajmëruar punësim të garantuar dhe mbështetje financiare për një periudhë gjashtëmujore për secilin të ri që përfundon studimet.
Ai u zotua se të porsalindurit do të kenë 200 euro në muaj për plot 12 muaj.
“Ne do ta bëjmë shtetin krah të familjes. Me Ministrinë e Familjes. Me 200 euro në muaj për secilin të porsalindur, për plot 12 muaj – 2400 euro mbështetje për fillimin e jetës së secilit fëmijë në Republikën tonë’’ tha Abdixhiku.
Ndërkohë, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka vizituar një fabrikë në Mitrovicë, ku ka vlerësuar suksesin e bizneseve vendore dhe ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së ndërmarrësve që krijojnë vende pune dhe zhvillim ekonomik.