Partitë politike kanë afat deri sonte në orën 24:00, që t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

KQZ-ja ka paralajmëruar se të gjithë kandidatët që synojnë të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës, do t’i nënshktrohen procesit të verifikimit institucional.

Përmes këtij procesi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kontrollojë nëse kandidatët për deputetë i përmbushin kriteret ligjore për pjesëmarrje në zgjedhje.

Reklamë

Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka deklaruar se kjo praktikë është ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

“Në kuadër të përmbushjes së obligimeve ligjore që kanë të bëjnë me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për certifikim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do t’u dërgojë institucioneve relevante kërkesat për verifikim, së bashku me listën e kandidatëve që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të vlerësimit nëse ata janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore”, ka deklaruar Elezi.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat nëse ai apo ajo është: funksionar me status të veçantë në bazë të ligjit në fuqi për Zyrtarët Publikë, është dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale e nëse ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, ose KQZ-ja.

Procesi i verifikimit të kandidatëve pritet të zgjasë disa ditë.

“Në mesin e institucioneve nga të cilat KQZ do të kërkojë verifikim të kandidatëve, është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, ka shtuar Elezi.

Reklamë