Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit, Gentrit Murseli, me numër 68, ka theksuar rëndësinë e krijimit të kushteve më të mira për personat me aftësi të kufizuara, duke përmendur një projekt të realizuar në Gjilan.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Murseli ka falënderuar kryetarin e shoqatës HANDIKOS në Gjilan, Fatmir Shurdhani, për bashkëpunimin në një iniciativë që synon rritjen e qasshmërisë për këtë kategori të qytetarëve.
Ai ka bërë të ditur se me një mbështetje prej 50 mijë eurosh për rregullimin e pjerrinave në trotuaret e Gjilanit, janë ndërmarrë hapa konkretë drejt krijimit të një mjedisi më të qasshëm dhe më të barabartë.
“Me mbështetjen prej 50,000 euro për rregullimin e pjerrinave në trotuaret e Gjilanit, po bëjmë hapa konkretë drejt një qyteti më të qasshëm dhe më të barabartë për të gjithë”, ka shkruar Murseli.
Kandidati i LDK-së ka shtuar se angazhime të ngjashme synon t’i shtrijë edhe në nivel vendi, duke premtuar vazhdimin e këtij modeli në të gjitha komunat e Kosovës.
“Zotohemi që të njëjtin model ta vazhdojmë edhe në nivel nacional, në të gjitha komunat e Kosovës”, ka deklaruar ai.