Sot në Kosovë ka nisur zyrtarisht fushata për zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa subjektet kryesore politike kanë mbajtur tubimet hapëse në qytete të ndryshme të vendit.
Lëvizja Vetëvendosje fushatën e ka hapur në Ferizaj. Kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurti, prezantoi prioritetet e programit qeverisës, duke premtuar investime të mëdha në ekonomi, ushtri dhe turizëm.
Kurti premtoi investime miliardëshe në Brezovicë dhe Bjeshkët e Nemuna, ndërsa tha se gjatë katër viteve të ardhshme do të ketë nga një miliard euro shpenzime kapitale.
“Me këtë 1 miliard euro, blerje të armatimit dhe pajisjeve ushtarake do t’ia bashkëngjesim fabrikën e dronëve dhe armëve. Rritjen ekonomike e kemi 4%, pra kemi mundësi të shpërndajmë mjete. Rritje ekonomike ka më së shumti në sektorin privat, që është bartësi kryesor i punësimit për çka i falënderojmë bizneset e ndershme. Ata që kanë zhvatur në të kaluarën, qofshin pasuri natyrore apo buxhet shtetëror, duhet ta kthejnë cent më cent, sepse do të themelohet Byroja për Konfiskimin e Pasurisë”, tha Kurti.
Ai premtoi gjithashtu zhvendosjen e pagesës së TVSh-së për mallrat nga kufiri brenda territorit të Kosovës dhe heqjen e taksës doganore prej 10% për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian.
Kurti u shpreh optimist për rezultatin zgjedhor, duke thënë se synon mbi 60 për qind të votave.
“Më 7 qershor bëhen 116 ditë të kësaj qeverie. Më 7 qershor krejt që kanë drejtë vote, e ata që i bëjnë 18 vjet atë ditë, e ata 88 98 a 116 sa i keni më të moçmin në Ferizaj. Dilni votoni i madh i vogël gra e burra pleq e të rinj, me kushëri të afërt largët, daja teze e halla, axhallar. Sepse nëse 51.1 për qind me 28 dhjetor kur erdh viti i ri tri ditë para kohe nuk ju doli boll. Atëherë mbi 60 për qind me 7 qershor, që dy javë kalendarike para se me ardh vera, jam i bindur se do t’ju dalë boll”.
Partia Demokratike e Kosovës fushatën e ka nisur po ashtu në Ferizaj, nën moton “Stop krizës, ndrysho Kosovën”.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, prezantoi programin e tij ekonomik dhe social, duke premtuar ulje çmimesh, rritje pagash dhe pensionesh, si dhe mbështetje për bizneset.
“Ne do t’i ulim çmimet. Do ta heqim TVSH-në për produktet esenciale. Qytetarët duhet të kenë më shumë para në xhepin e tyre, jo më shumë barrë mbi shpinë. Ne do t’i rrisim pagat dhe pensionet. 50% rritje për sektorin publik. 50% rritje për pensionet dhe ndihmat sociale. Asnjë ndihmë sociale nën 250 euro, sepse askush në Kosovë nuk duhet të jetojë pa dinjitet. Ne do t’i mbështesim bizneset. Më pak tatime mbi pagat. Grante deri në 30% për investime. Mbështetje për prodhuesit vendorë. Mbështetje për sipërmarrësit. Sepse ekonomia nuk ndërtohet me propagandë. Ekonomia ndërtohet duke krijuar vende pune”, theksoi ai.
Hamza premtoi gjithashtu investime në energji, infrastrukturë, teknologji, arsim dhe drejtësi.
“30 milionë euro në vit për bursa. Arsim profesional të lidhur me tregun e punës. Digjitalizim të arsimit. Qendra multifunksionale për të rinjtë. Sepse rinia jonë nuk është problem për t’u menaxhuar. Rinia është potenciali më i madh i Kosovës. Dhe po, ne do ta forcojmë drejtësinë. Drejtësi më të shpejtë. Drejtësi të paanshme. Zbatim i plotë i ligjit për të gjithë. Sepse qytetarët kanë nevojë për shtet që funksionon, jo për shtet që arsyetohet”, shtoi ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës fushatën e ka hapur në sallën “1 Tetori” në Prishtinë. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë hapjes së fushatës zgjedhore ka prezantuar premtimet kryesore të programit të partisë, me fokus në mbështetjen sociale, rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Abdixhiku premtoi se shtesat dhe përfitimet sociale nuk do të jenë “lëmoshë elektorale”, por do të garantohen me ligj dhe do të rriten.
“Shtesat, përfitimet, beneficionet, nuk do të jenë lëmoshë elektorale. Jo, ato nuk do të ndalen. Do të jepen, do të rriten. Dhe do të garantohen me ligj. Si siguri e përhershme jo si blerje elektorale”, tha Abdixhiku.
Ai premtoi mbështetje financiare për familjet, përfshirë 200 euro në muaj për çdo të porsalindur gjatë vitit të parë të jetës, shtesa mujore për fëmijët deri në moshën 16-vjeçare dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për gratë kujdestare.
“Me 200 euro në muaj për secilin të porsalindur, për plot një vit. Me shtesa mujore për secilin fëmijë deri në moshën 16 vjeçare. Me mbështetje të drejtpërdrejtë për gratë kujdestare”, deklaroi ai.
Kreu i LDK-së premtoi gjithashtu dyfishim të pensioneve dhe tha se asnjë pension nuk do të jetë nën 300 euro.
Në aspektin ekonomik, Abdixhiku u zotua për sjelljen e investitorëve të rinj dhe krijimin e vendeve të punës, si dhe për rritje pagash në sektorin publik.
“Mësuesi i Kosovës do të ketë pagën 1000 euro në qeverisjen tonë, polici, ushtari, infermieri, zjarrfikësi do të kenë 900 euro në muaj, koeficienti 150 për mbi 80 mijë punëtorë publik mbetet punëtori ynë”, tha ai.
Ndërkaq, Aleanca fushatën e ka hapur në Gjakovë. Kandidati i saj për kryeministër, Ardian Gjini, tha se programi i partisë do të fokusohet në siguri, zhvillim ekonomik dhe energji.
Fushata zgjedhore do të zgjasë deri më 6 qershor, ndërsa qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit më 7 qershor.
/Reporteri.net/