×
  • Lajme
  • Raporto
  • Zgjedhjet 2026

    Numërimi i votave drejt fundit, KQZ: Shpallja e rezultateve përfundimtare pas afatit për ankesa

    Reporteri
    16 Qershor 2026 | 13:13

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se janë në fazën përmbyllëse të numërimit të votave me postë, nga votimi jashtë Kosovës.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për gazetën online Reporteri.net se  numërimi i të gjitha fletëvotimeve nga ky votim do të bëhet në mesjavë dhe gjithashtu në numërim do të përfshihen edhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta.

    Elezi tha se shpallja e rezultateve përfundimtare mund të bëhet nëse nuk do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit në QNR. Por, nëse do të ketë ankesa, atëherë KQZ-së do t’i duhet të presë shqyrtimin e tyre.

    “Jemi në fazën përmbyllëse të numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës. Ashtu siç kemi planifikuar, numërimi i të gjitha fletëvotimeve nga ky votim do të bëhet në mesjavë dhe gjithashtu në numërim do të përfshihen edhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta.

    Natyrisht se pas përfundimit të numërimit të të gjitha këtyre fletëvotimeve, KQZ do të presë afatin e ankesave lidhur me administrimin e numërimit në QNR, pasi palët kanë të drejtë të dorëzojnë ankesa brenda 48 orë nga ndodhja e shkeljes së supozuar. Në rast se nuk do të ketë ankesa, KQZ është e gatshme për të proceduar me shpalljen e rezultateve përfundimtare, ndërsa nëse do të ketë ankesa, atëherë KQZ do të presë vendimmarrjen e institucioneve përkatëse dhe do të zbatojë vendimet nëse ato e obligojnë KQZ-në”, tha Elezi.

    Në planin e aktiviteteve të miratuar nga KQZ, në fillim të këtij procesi zgjedhor, është planifikuar që shpallja e rezultateve të bëhet deri më 26 qershor, ndërkaq certifikimi i tyre deri më 6 korrik.

    “Mund të themi se jemi në rrugë të mirë që kjo të bëhet më shpejt sesa këto planifikime.

    Në fund të këtyre numërimeve, KQZ do të rinumërojë deri në 10% të vendvotimeve, fletëvotimet e të cilave janë numëruar paraprakisht në Qendrat Komunale të Numërimit. Kjo masë kontrolli është marrë nga KQZ për të adresuar problemet e evidentuara në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar dhe ka për qëllim të sigurohet që numërimi është zhvilluar me saktësi”, u shpreh zëdhënësi i KQZ-së. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!