×
  • Lajme
  • Raporto
  • Zgjedhjet 2026

    Reuters: Kurti kërkon bashkëpunim me partitë e tjera pas fitores në zgjedhje

    Reporteri
    08 Qershor 2026 | 11:54

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje partive të tjera politike për bashkëpunim, me synimin për t’i dhënë fund ngërçit politik që ka zgjatur prej 18 muajsh. Kjo erdhi pasi partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën, por nuk arriti të sigurojë vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, shkruan Reuters.

    Agjencia e lajmeve në artikullin e saj shkruan se “Kosova synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, ndërsa Brukseli kërkon ngritjen e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale që mund të zbatojnë reformat e nevojshme për anëtarësim. Megjithatë, paqëndrueshmëria politike e ka lënë vendin pa institucione plotësisht funksionale, duke vonuar reformat dhe përfitimin e fondeve nga BE-ja. Sipas analistëve politikë, ka gjasa që ky bllokim politik të vazhdojë edhe më tej”.

    Rezultatet preliminare treguan se Lëvizja Vetëvendosje mori 43% të votave pasi u numëruan 99.4% e fletëvotimeve në zgjedhjet e së dielës, të tretat brenda më pak se 18 muajsh.

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditej e dyta me 21% të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e treta me 18%. Zgjedhjet u mbajtën pasi parlamenti i përçarë i Kosovës nuk arriti të zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe më pas as presidentin e ri të vendit.

    Edhe pse ende nuk janë numëruar rreth 100 mijë vota të diasporës, Vetëvendosja nuk pritet të sigurojë shumicën absolute të nevojshme për të formuar e vetme qeverinë.

    Partia është larg rezultatit prej 51% që kishte arritur në zgjedhjet e dhjetorit, pas të cilave nuk u arrit një marrëveshje me opozitën për zgjedhjen e presidentit të ri.

    “Në javët në vijim do të komunikojmë, do të takohemi me opozitën dhe do të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet politike,” u tha Kurti mbështetësve të tij vonë të dielën.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!