Presidenti i SHBA, Donald Trump komentoi ndërprerjen masive të kontrollit të trafikut ajror që shkaktoi pezullimin e fluturimeve në të gjithë vendin, duke e drejtuar gishtin drejt administratës së Joe Biden.

Duke thyer heshtjen që kishte mbajtur që nga e premtja, kur avionët u ndaluan në të gjithë vendin, presidenti amerikan nisi një sulm ndaj administratës së mëparshme, ndërsa në të njëjtën kohë i kërkoi Kongresit më shumë para për modernizimin e infrastrukturës.

“Administrata Biden ishte një katastrofë e FAA-së. Çdo gjë që prekën u përkeqësua. Para të mëdha u shpenzuan pa mençuri, duke e bërë një sistem të vjetër dhe të prishur më keq se kur filluan. Ne kemi njohuritë dhe planin për Sistemet e Kontrollit të Fluturimit, na duhet që Kongresi të japë paratë, SHPEJT!”, shkroi ai.

Reklamë

Trump kërkoi më pas nga Kongresi që të miratojë paratë që duhen për ndërtimin e sistemit të ri të Kontrollit Ajror.

“Nëse Kongresi miraton paratë e nevojshme urgjentisht për Kontrollin e Trafikut Ajror, ne mund ta ndërtojmë atë shpejt dhe me efikasitet. Do të jetë SISTEMI MË I MIRË kudo në botë. Pjesa më e madhe e sistemit tonë aktual të kontrollit ajror është 50 vjeç – QESHARAK! Ne tashmë e kemi filluar punën, por duhet të bëhet menjëherë, jo me pika dhe me boshllëqe. Kongresi duhet ta miratojë. Administrata Biden e shtyu atë vite prapa!”, shtoi ai. /Panorama