×
  • Lajme
  • Raporto
  • Zgjedhjet 2026

    Votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, KQZ: Po bëhet skanimi i listave për të parandaluar votimin e dyfishtë

    Reporteri
    13 Qershor 2026 | 20:16

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka përfunduar procesi i verifikimit dhe numërimit në të gjitha 38 komunat, ku janë proceduar 2,498 vendvotime.

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur numërimi i votave me postë, me mbi 85,700 pako të pranuara dhe të vlerësuara për procesim.

    “Mund t’ju konfirmoj se sot (e shtunë, 13 qershor, ora 19:00) në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë është përmbyllur procesi i verifikimit dhe numërimit, ku janë proceduar 262 vendvotimet. Ky moment shënon përfundimin e procesit në të gjitha komunat, 38 sosh, i cili ka filluar një ditë pas ditës së zgjedhjeve.

    Numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara dhe që i takojnë të gjitha QKN-ve (38) është 2,498 vendvotime apo 100%.

    Në vazhdim të procesit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, kanë mbetur që të numërohen fletëvotimet nga votimi përmes postës, i mundësuar në 23 kutitë postare të KQZ-së; fletëvotimet nga votimi me kusht i mundësuar në 52 vendvotime me kusht dhe votimi i personave me nevoja të veçanta.

    Të premtën në mbrëmje (12 qershor) KQZ ka filluar me numërimin e votave nga votimi me postë dhe ky proces do të marrë kohë disa ditë.

    Siç e kemi shpjeguar më herët, nga 23 kutitë postare të KQZ-së të hapura për këtë lloj votimi, janë tërequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, pjesa më e madhe e të cilave, deri më tani, janë vlerësuar nga shërbimi votues i KQZ-së dhe janë të gatshme për t’u nuëmruar”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Ai theksoi se paralelisht do të numërohen edhe votat me kusht në 52 vendvotime me 8,751 votues si dhe votat e personave me nevoja të veçanta me 3,144 votues të regjistruar.

    Para fillimit të këtyre fazave, po kryhet skanimi i listave të votuesve nga vendvotimet e rregullta për të identifikuar rastet e mundshme të votimit të dyfishtë.

    “Derisa të përfundojë numërimi i votave nga votimi përmes postës, do të përgatitet procesi për fillimin e numërimit të votave nga votimi me kusht, i cili është mundësuar në 52 vendvotime me kusht ku janë evidentuar 8,751 votues dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta i mundësuar jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile dhe ku kanë qenë të regjistruar për këtë lloj votimi 3,144 votues. Para se të fillohet me numërimin e këtyre fletëvotimeve, është duke u bërë skanimi i listës së votuesve të përdorur në vendvotime të rregullta dhe qëllimi është për të krahasuar të dhënat dhe për të evidentuar rastet eventuale të votimit të dyfishtë”, tha Elezi.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!