×
  • Lajme
  • Lajme

    Zgjedhjet në Veri, serbët të pavendosur, shqiptarët i mirëpresin ato

    Reporteri
    09 Prill 2019 | 20:37

    Në zgjedhjet e 19 majit që priten të zgjidhen kryetarët e katër komunave veriore, shqiptarët janë ata që i mirëpresin këto zgjedhje, kurse partitë politike serbe nuk kanë vendosur ende nëse do ta jenë pjesëmarrës.


    Mirëpo edhe vet qytetarët serbë nuk po i mirëpresin zgjedhjet.

    Shpallja e zgjedhjeve për kryetar komune, në katër komunat veriore të vendit, po mirëpritet nga shqiptarët e asaj pjese, e cila është e banuar kryesisht me serbë.

    Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Bashkim Cimili, thotë se zgjedhjet janë të mirëseardhura ngase tash e disa muaj komuna është ngulfatur.

    “Prej 27 nëntorit kur është dorëhequr Kryetari i Mitrovicës veriore, është ngulfatur komuna. Edhe pse janë kryer disa shërbime si lëshimi i certifikatave etj., por kur kryetari nuk është në detyrë e konsideroj si ngulfatje e komunës”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Bashkim Cimili.

    Edhe për Lavdim Pecin, zëvendës kryesues i Kuvendit Komunal në Zveqan, zgjedhjet janë të mirëpritura ngase thotë se shqiptarët e asaj pjese janë të diskriminuar.

    “Kam mirëpritur shpalljen e zgjedhjeve. Këtë ua kam thënë hapur edhe në Kuvendin Komunal, sepse ka diskriminim ndaj popullatës shqiptare”, tha Lavdim Peci.

    Mirëpo sipas lideres së Iniciativës “SDP” në Mitrovicën e Veriut, Ksenija Bozhoviq, ata nuk kanë vendosur ende nëse do të jenë pjesëmarrës në zgjedhje, ngase po kërkojnë siguri në zgjedhje.

    “Partia jonë “SDP” së shpejti do të takohet me strukturat e saj dhe do të marrim një vendim për pjesëmarrjen tonë në këto zgjedhje sepse ende nuk kemi marrë ndonjë vendim konkret. Por ne do të monitorojmë situatën dhe presim mbështetje nga qeveria e Serbisë – gjithashtu presim edhe ftesën nga Presidenti Vuçiq ashtu sikurse Lista serbe, sepse edhe ne bëjmë pjesë në politiken e Kosovës. Ne ende nuk kemi vendosur për kandidatin që do ta përfaqësojë subjektin tonë në këto zgjedhje sepse gjithçka ndodhi shumë shpejtë”, deklaroi Ksenija Bozhoviq.

    RTV Dukagjini, ka bërë përpjekje që të marrë edhe mendimet e serbëve që jetojnë në veri të vendit, nëse do të dalin në zgjedhje, mirëpo shumica prej tyre nuk kanë pranuar të flasin.

    Megjithatë, ata që pranuan u përgjigjën shkurt se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje.

    Kryetarët serbë të komunave, Mitrovicë e Veriut, Zveqan, Zubin Potok e Leposaviq kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, si kundërshti për tarifën doganore 100% që qeveria e vendit kishte vendosur për prodhimet serbe dhe boshnjake. Ndërsa, 19 maji është caktuar si ditë për zgjedhje të kryetarëve të tjerë.

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!