“Shumë, shumë shpejt, më afrohej një i vetë-quajtur Imam. Ai ishte më i mësuar për të shitur armë dhe drogë, por fliste mirë arabisht, njihte tekstet e shenjta të Kur’anit dhe kishte një karizëm të caktuar, kështu që u vendos si Imam në oborrin e burgut”.

Kur një rekrutues radikal islamik e kishte ‘targetuar’ Karim Mokhtarin në burg, ai dinte të godiste aty ku duhej.

“Isha i ndjeshëm ndaj indoktrinimit radikal dhe të dhunshëm sepse po vuaja nga një krizë identiteti, neglizhenca, kërkoja njohje, vetëvlerësim dhe besim në vete”, thotë Mokhtari. “Të gjitha këto krijojnë tokë pjellore për terrorizmin e çdo lloji, veçanërisht atë radikal dhe të dhunshëm.”

Reklamë

Mokhtari kishte përjetuar abuzime të rënda gjatë rritjes në një familje të dhunshme. Ai ishte 18 vjeç kur u dënua me dhjetë vjet burg për nxitje të një grabitjeje të armatosur.

“Ai vazhdonte të hidhte benzinë mbi zjarrin që tashmë ishte brenda meje”, thotë ai. “Më jepte justifikime për të qëndruar i zemëruar duke më thënë: ‘Thjesht shiko rreth teje dhe do të kuptosh që Franca nuk na do’”.

Manuali i rekrutuesit radikal

“Kjo taktikë është tipike e manualit të një rekrutuesi”, thotë Dr. Guillaume Monod, psikiatër, që filloi të studiojë radikalizimin pas sulmeve të Parisit në 2015.

“Gjithçka fillon me njerëz vunerabël. Ata nuk shkojnë direkt tek njerëzit që janë tashmë të bindur për ideologjinë e tyre, qoftë xhihadiste, incel, apo çfarëdo tjetër. Ata kërkojnë fillimisht njerëz vunerabël, që kanë nevojë për mbështetje psikologjike, emocionale, që kanë nevojë për miq dhe për t’u ndjerë pjesë e një grupi. Pra, është e rëndësishme të kuptojmë se ideologjia vjen më vonë”.

Reklamë

Por Mokhtari përfundimisht gjeti forcën për t’ja kthyer shpinën rekrutuesit.

“Më kujtohet që ky i vetë-quajtur imam më afrohej me një pamje shumë, shumë të errët, për të më thënë se tani isha mysliman dhe detyra ime si mysliman ishte të mbroja Islamin. Dhe sipas tij, mbrojtja e Islamit nënkuptonte të vrisje. Ishte hera e parë në jetën time, mendoj, që isha i vendosur dhe i thashë “jo”. Ishte vendimi më i mirë që mund të kisha marrë gjatë gjithë dënimit tim, sepse ajo që mësonte ky imam i vetëshpallur nuk ishte islam”.

Ishte fundi i viteve 1990, dhe atëherë, thotë Mokhtari, nuk ishte Shteti Islamik i rrezikshëm, por në fuqi ishte al-Qaeda. Dhe, kishte zero programe për të parandaluar radikalizimin. Kështu që, shërbimi i burgjeve bënte ç’të mundej, duke transferuar disa të dënuar në burgje të ndryshme, me shpresën për të ndaluar përhapjen e ideologjive ekstreme.

Alarmi për Francën

Reklamë

Sulmet terroriste të 2015, duke filluar me vrasjet te “Charlie Hebdo” në janar dhe duke kulmuar me sulmet e koordinuara më 13 nëntor që vranë mbi 100 persona ishin një alarm për Francën.

Monod thotë se para 2015, “kishte një problem të madh sepse askush në Francë nuk dinte asgjë për radikalizimin, veçanërisht në burgje”. Pas kësaj gjithçka ndryshoi. “Të gjitha sektorët e shoqërisë u mobilizuan. Jo vetëm sistemi i drejtësisë, shërbimi i burgjeve dhe sektori i psikiatrisë, por edhe sektori shtetëror i arsimit, mbrojtja e fëmijëve, organizatat bamirëse dhe shkencat sociale”.

Ai thotë se përpjekja ka dhënë rezultate. “Në vetëm disa vjet, kemi arritur ta kuptojmë fenomenin”. Monod, që deri tani ka punuar me rreth 150 të burgosur të dyshuar për radikalizëm, thotë se fokusi i tij është mbi ndjeshmërinë e tyre ndaj ekstremizmit.

“Nuk më intereson pyetja fetare, nuk më intereson pyetja politike. Kjo nuk është fusha ime”, shpjegon ai. “Puna ime është mbi mekanizmat psikologjikë, mbi dobësitë psikologjike që bëjnë që disa njerëz, në raste të caktuara, ta gjejnë veten të indoktrinuar në një ideologji sektare dhe të dhunshme.”

Reklamë

Nga ‘deradikalizimi’ te largimi nga dhuna

Sot, termi ‘deradikalizim’ shmanget nga shumë prej atyre që punojnë në këtë fushë. “Në Francë, të kesh një opinion nuk është krim”, thotë Monod. “Sot, në vend të flasim për ‘deradikalizim’ flasim për ‘largim nga dhuna’. “Ky është qëllimi i punës sime, dhe po shohim rezultate pozitive”.

“Ka disa pacientë që i njihja në paraburgim, për të cilët kam dëgjuar lajme pas lirimit të tyre, dhe shumë prej tyre kanë braktisur plotësisht sjelljen e dhunshme. Disa mbeten me një ideologji mjaft sektare, por më e rëndësishmja është se kanë braktisur sjelljen e dhunshme”.

‘Një rrjet profesionistësh’

Reklamë

Mokhtari e ka bërë mision jetësor parandalimin e njerëzve për të qenë pjesë e dhunës dhe ekstremizmit, përmes dy asociacioneve të tij, 100Murs (100 Mure) dhe Les Chiens de L’Ombre (Qentë e Hijeve).

Ai flet rregullisht në burgje për përvojën e tij dhe ishte ndër të parët që fitoi Certifikatën e Parandalimit të Radikalizmit, një diplomë e krijuar në 2017 nga shkencëtari politik dhe studiuesi Elyamine Settoul.

“Diploma, e dizajnuar për njerëz nga sektorë të ndryshëm përfshirë arsimin, policinë, drejtësinë, shërbimet e burgjeve, shërbimet sociale dhe inteligjencën ka lejuar “zhvillimin e një rrjeti profesionistësh”, thotë Settoul.

Dhe ata, po vënë re ndryshime në kërcënimin e radikalizmit.

‘Radikalizimi është i njëjtë si gjithmonë’

Settoul diskuton rastin e liderit të një grupi ekstremist të së djathtës radikale që e intervistoi në burg, duke nxjerrë në pah ngjashmëritë mes tij dhe radikalëve islamikë, në librin e tij të fundit, “Suprémaciste. Anatomie d’un parcours d’ultradroite” (Supremacist. Anatomia e një rrugëtimi ekstrem të së djathtës).

Ai thotë se mekanizmat pas radikalizmit nuk kanë ndryshuar shumë në 10 vitet e fundit. “Shpesh radikalizmit lindin nga problemet klasike si ngacmimi në shkollë, fëmijë që ndihen të huaj, familje disfunksionale. Persona që mbyllen në vetvete,” shpjegon ai.

Procesi pastaj avancohet nga interneti, veçanërisht rrjetet sociale. “Vendosen në një dhomë akustike algoritmike. Radikalizohen mes tyre. Ata mund të kalojnë gjithë natën duke parë video xhihadiste ose ekstremiste të së djathtës radikale”, thotë Settoul.

“Por procesi i radikalizimit është i njëjtë si gjithmonë. Fillon me një problem në botën reale. Vetëm tani, bota virtuale po e shton fenomenin. Është e rëndësishme të mbetemi vigjilentë”. /Le Monde/