Vendimi i Gjykatës së Apelit, me të cilin u vërtetuan dënimet me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën për vrasjen e Liridona Ademajt, i ka hapur rrugë familjes së viktimës që të nisë betejën ligjore për marrjen e kujdestarisë së fëmijëve të saj.
Kështu ka bërë të ditur avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla, i cili ka thënë se kërkesa për kujdestarinë e fëmijëve ishte parashtruar edhe më herët, por shqyrtimi i saj ishte kushtëzuar me përfundimin e procedurës gjyqësore në Kosovë.
Syla në KTV ka vlerësuar se vendimi i Apelit shënon një moment të rëndësishëm për nisjen e kësaj beteje ligjore.
“Vendimi i Apelit është edhe fundi i një fillimi, për shkak se me këtë vendim nis edhe beteja për besimin e fëmijëve në familjen e Liridona Ademajt. Një kërkesë e tillë është bërë edhe më herët, por që ka qenë e kushtëzuar me vendimin e Gjykatës në Kosovë. Naim Murseli deri në vendimin e Gjykatës së Apelit prezumohej i pafajshëm, por tanimë, veçse me vendimin e Gjykatës së Apelit, duke e ditur që vendimi i shkallës së parë është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm, Naim Murseli mund të konsiderohet sipas ligjit fajtor për vrasjen e Liridona Ademajt, i dënuar me burgim të përjetshëm”, ka deklaruar Syla.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimet me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa ka lënë në fuqi edhe dënimin me 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën, në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Vendimi i Gjykatës së Apelit, i publikuar të hënën, konfirmon kështu dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë për tre të akuzuarit.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës, derisa ndodhej në veturë me bashkëshortin e saj, Naim Murselin, dhe dy fëmijët e tyre.
Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Murseli kishte organizuar vrasjen e bashkëshortes për shkak të marrëdhënieve të përkeqësuara martesore dhe dëshirës për hakmarrje. Gjykata kishte konstatuar gjithashtu se ai synonte të përfitonte financiarisht nga një policë e sigurimit të jetës në emër të Liridona Ademajt, në vlerë prej tre milionë kronash suedeze.