×
Opinione

Analizë e Reporterit: Një jetë vetmi e Albin Kurtit

Reporteri
13 Janar 2020 | 15:43

Albin Kurti ka filluar ta braktisë popullin. Premtoi një ndryshim të shpejt pas zgjedhjeve në të cilat doli fitues. Por, kanë kaluar më shumë se tre muaj dhe ai nuk duket në horizont se do të formojë një qeveri me Lidhjen Demokratike të Kosovës, partnerin e vetëm politik të tij, tash për tash, shkruan Reporteri.


Gjersa ai nuk po brengoset të marrë mandatin, njerëzit në Kosovë kanë filluar të brengosen për fatin e vendit dhe kanë filluar të përjetojnë zhgënjime. Me gjasë, populli ka filluar gradualisht ta braktisë Albin kurtin, që e pa si shpresën e vetme dhe politikanin ndryshe.

Në fakt e gjithë karriera politike e Albin Kurtit është ndërtuar duke u larguar nga miqtë e tij më të mirë e bashkëpunëtorët e afërt, shkruan Reporteri.

Ai nuk e ka afër vetës dhe mbështetës të fortë gati asnjërin nga shokët e tij të protestave studentore të vitit 1997, Bujar Dugollin e Driton Lajcin dhe shumë të tjerë.

Kur u lirua nga burgu ai nisi një organizatë joqeveritare, Kosovo Action Network. Nga kjo, ai bashkë me Shkëlzen Gashin, themeluan Vetëvendosjen. Gashi ka vite që nuk është bashkëpunëtor i tij.

Me Vetëvendosjen afroi afër vetës shumë djem e vajza të reja, që e rritën partinë dhe ishin me të në kohërat e vështira. Dardan Molliqaj, Visar Ymeri, Frashër Krasniqi e të tjerë, nuk janë më me të.

Ata që i erdhën në parti, për ta rritur edhe më shumë VV-në, Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu, Dukagjin Gorani, e disa te tjerë nga partia FER, nuk janë më me të.

Nga garda e vjetër, Liburn Aliu, Xhelal Sfecla dhe Rexhep Selimi kanë filluar të distancohen. Nuk i pa të denjë për ministra këta që u përplasen në protesta për kauzat e tij. Ata sot heshtin për Lëvizjen dhe koalicionin me LDK-në.

Tash afër vetës, dhe të denjë për ministra ka zgjedhur figura të sapoardhura në VV nga shoqëria civile, me qëndrime të djathta dhe që shpesh e kishin akuzuar Vetëvendosjen. Një nga ta është Haki Abazi.

Besnik atij po vazhdojnë t’i qëndrojnë vetëm disa figura të ardhura nga PDK-ja, si Hydajet Hyseni, Ismail Kurteshi, Sami Kurteshi e të tjerë.

Në kohën kur kurrë me afër s’ka qenë që të bëhet Kryeministër, një ambicie e gjatë e tij, ai ka gjetur një partner, LDK-në.

Por, çuditërisht edhe atë po e godet nga jashtë. Vetë ai, e provokon LDK-në me video-mesazhe ku herë e fajëson për dështim të marrëveshjes, e herë i propozon ministra.

Për më tepër, njerëzit e tij i hedh në mejdan për ta thumbuar e sharë LDK-në. E quajnë të korruptuar, e gjithçka tjetër, ani pse në plan kanë bashkëqeverisjen.

Dhe kur një dashni me LDK-në nuk i ecën, ai nuk ka as një opsion tjetër. As me PDK-në dhe as me AAK-në. Për të gjithë këta ka vendosur vija të kuqe, që me gjasë sot do të dëshironte të mos i kishte.

Partnerët ndërkombetarë, që dikur i quante kolonialistë dhe që nënshtrojnë politikën kosovare, i ka paksa të heshtur. Ata nuk po angazhohen si dikur që të ndërtojnë koalicione.

Albin Kurti është politikani më i votuar në zgjedhje. Por qeveria nuk bëhet vetëm nga votat e popullit. Bëhet edhe me aleatë brenda sisitemit politik, që ai aktualisht nuk i ka.

Nëse premtimin per një qasje ndryshe, për një qeveri të shpejtë e shkelë, ai po e braktisë popullin dhe ndoshta së shpejti populli do ta braktisë atë, sikur ka bërë me të gjithë./Reporteri/

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!