×
Opinione

Analizë e Reporterit: Pse ambasadorët amerikanë nuk fotografohen në zyrën e Albin Kurtit?!

Reporteri
23 Janar 2020 | 16:47

Në gjithë aktivitetin politik të Albin Kurtit, edhe në kohën kur VV-ja ishte vetëm lëvizje e po ashtu në kohën kur u formua si parti, ai është cilësuar si një person që nuk pëlqehet nga amerikanët.


Në fakt, kjo gjë nuk ishte e pabazuar, pasi Kurti nuk numëronte asnjë takim me zyrtarët që implementojnë politika dhe sjellin zërin e Shtëpisë së Bardhë në Kosovë.

E tani kur kreu i VV-së doli i pari në zgjedhje, takimet me ambasadorë nuk po janë të rralla. Ai tani po takohet i pari me secilin të deleguar të shtetit amerikan. Por, në këto takime, ka një gjë që bie në sy, e që dallon nga takimet e amerikanëve me liderët e tjerë: Fotografitë në prag.

Takimet e të nominuarit për kryeministër me ambasadorët amerikanë nuk ilustrohen me fotografi nga brenda, por nga jashtë. Kurti fotografohet teksa shtrëngon duart vetëm tek shkallët e zyrave. E kjo gjë, po bëhet gjithmonë me kërkesë të ambasadorëve. Ashtu ishte për tri vizitat e ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, e po njëlloj po del edhe vizita e fundit e ambasadorit amerikan në Gjermani, emisarit të posacem të Trump, Richard Grenell.

Arsye pse Kurti nuk po e ka mundësinë të fotografohet kaq ngrohtë në zyra me ambasadorët amerikanë, sic po bën Mustafa ta zëmë, po bëhet vendosja e flamurit kuq e zi dhe mungesa e flamurit të shtetit të Kosovës. Ambasadorët amerikanë nuk kanë ngurruar asnjëherë ta thonë se janë sponsori kryesor i shtetit kosovar, e ky veprim me flamurin e tij, duket se nuk po iu lë shumë shije të mirë.

Sa për të ilustruar, mund të përmendim takimin që Grenell kishte në selinë e LDK-së. Ai, përvec që pranoi të fotografohet në ambientet e brendshme të partisë, kishte komentuar edhe flamurin dardan që LDK-ja e mban akoma. Kjo gjë ngjalli kërshëri tek ambasadori amerikan, mirëpo nuk ishte pengesë si mungesa e flamurit të Kosovës si në VV, pasi LDK-ja e ka në rresht së bashku me atë amerikan madje.

E këto simbolika që dalin nga takimet, të cilat dikur as nuk mendoheshin të realizoheshin, nuk janë pa mesazh politik. Kosnett dhe Grenell po duan që, nëse Kurti do ta udhëheqë me Kosovën, ta bëjë si një lider që ka në rend të parë shtetin e Kosovës, e jo si dikush që dëshiron ta ndryshojë sapo të krijohet mundësia.

Dhe kur përmendet vënia e shtetësisë në rend të parë, kuptohet edhe angazhimi për përfundimin e problemit të fundit që ka ajo, e që është dialogu me Serbinë. Për këtë temë, amerikanët janë të qartë, mirëpo Albin Kurti akoma thotë se atë nuk do të bëjë sic ka qenë deri tani.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!