×
Opinione

Çfarë do të ndodhë me Vjosa Osmanin, nëse dështon koalicioni VV-LDK?

Reporteri
31 Janar 2020 | 18:43

Analizë e Reporteri.net 


Vjosa Osmani ka mundësi që ta nisë sërish një betejë personale brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, nëse përfundimisht të hënën dështon koalicioni qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, për arritjen e të cilit ajo është duke u përpjekur maksimalisht.


Kryesia e Kuvendit të Kosovës është mbledhur sot për ta thirrur për të hënën në orën 11:00 seancën për votimin e Qeverisë.

Kërkesën për seancë, mandatari Albin Kurti e ka bërë pa marrëveshje me partnerin e saj në negociata, LDK.

Pas këtij zhvillimi, LDK ka mbledhur Kryesinë e saj, për t’i diskutuar qëndrimet në raport me Vetëvendosjen, tashmë kur kanë mbetur vetëm edhe tri ditë nga momenti i mbajtës së seancës parlamentare.

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka deklaruar hapur se është në favor të arritjes së marrëveshjes me VV-në, duke thënë se vetëm kështu çohet në vend vullneti qytetar i shprehur më 6 tetor në zgjedhjet parlamentare.

Por, ajo nuk është shprehur asnjëherë qartë se mbron pozicionin e LDK-së në negociata për ofertën që parasheh Presidentin, Kryeparlamentarin dhe ndarjen e ministrive 5 më 5, ofertë kjo që Albin Kurti nuk ka dhënë shenja se është i gatshme ta pranojë.

Osmani, siç thonë burimet, ka insistuar edhe në këtë mbledhje të Kryesisë së LDK-së që kjo marrëveshje të arrihet.

Ajo që është parë qartë në opinion është se Vjosa Osmani ka një qasje dhe një frymë ndryshe, e cila bie ndesh me udhëheqjen e lartë të partisë, Isa Mustafën, Agim Veliun dhe Lutfi Hazirin, lidhur me koalicionin me VV-në. Nënkryetarja e LDK-së duket se ka disponim që marrëveshja të arrihet me kushtet e VV-së, e jo me kushtet e LDK-së.

Në rast të dështimit të koalicionit VV-LDK, atëherë të gjithë sytë do të jenë të kthyer nga Vjosa Osmani. Si do të sillet ajo karshi kësaj situate?

Nuk përjashtohet mundësia për “shpërthimin” e saj kundër partisë, qoftë duke e votuar Albin Kurtin për Kryeministër, qoftë duke e kundërshtuar opsionin e dytë që po përflitet në opinion, një koalicion të mundshëm mes LDK-së, AAK-së dhe Nismës, qoftë duke e hapur debatin për nevojën e reformave në LDK dhe rrjedhimisht paraqitjen e synimit të saj për ta marrë kreun e partisë, ose edhe duke u larguar krejtësisht nga LDK për t’ju bashkuar Albin Kurtit në Vetëvendosje.

Pozicioni i Vjosa Osmanit me siguri do të mësohet nga e hëna e tutje. /Analizë e Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!