×
Opinione

CIVILIZIMI QË ERDHI NGA MALET

Reporteri
31 Maj 2019 | 10:53

Autor: Blerim Latifi


Karl Popper, me sa di, e thotë diku se nuk duhet t’i hedhim pamenduar idetë, qofshin ato edhe idetë më të marra që dikush mund t’i mendojë. Kjo për arsye se edhe idetë më të çmenduara mund të nxisin të menduarit racional dhe kritik.


Një përvojë të tillë e pata mbrëmë, derisa dëgjoja deklaratën raciste kundër shqiptarëve të kryeministrës serbe Ana Brnabiç. Kjo deklaratë më nxiti të mendojë për figurën e malit dhe derisa po mendoja më erdhi një konstatim : racizmi antishqiptar i estabilishmentit të Beogradit nuk na shpërfaqë vetëm faktin e pafuqisë së Serbisë për t’u shkëputur nga fashizmi i saj kronik, por edhe një fakt tjetër: nivelin e ulët intelektual të klasës aktuale që drejton shtetin serb, emblemë e të cilit është Brnabiç.

Secili njeri që ka një minimum edukimi mbi civilizimin njerëzor do të rezervohej të shprehej ashtu, siç u shpreh ajo. Me këtë kam parasysh jo dimensionin moral të deklaratës, sepse ne jemi mësuar tash e 100 vjet të dëgjojmë nga Beogradi deklarata çnjerëzore për ne. Kam parasysh dimensionin intelektual të deklaratës.

Njerëzit e kulturuar, e të edukuar, e dinë se malet nuk janë shenja të barbarisë. Përkundrazi, janë shenja të civilizimit. Njerëzimi historikisht i ka parë malet si vende të shenjta, vende ku njerëzit e kanë ndjerë dhe prekur hyjnorën. I gjithë civilizimi antik grek lidhet me figurën e një mali, me Malin e Olimpit, aty ku kishin fronin perënditë greke. Njërin prej tempujve më të rëndësishëm të besimit të tyre, grekët e kishin ndërtuar në male. Fjala është për Orakullin e Delfit. Hebrenjtë, njëri prej popujve që kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në historinë e civilizimit botëror, gjithë kulturën e tij e ka të bazuar mbi figurën e një mali. Është fjala për Malin Sinai, ku, siç besohet, Moisiu u ngjit për të marrë dhjetë urdhëresat hyjnore. Vetë drama morale e Abrahamit me Zotin zhvillohet në malin Moriah. Predikimi themeltar në historinë e krishterimit quhet “Predikimi i Krishtit në Mal”. Edhe vetë fillimet e Islamit lidhen me figurën e malit. Muhametit frymëzimi hyjnor i ndodhi në lartësitë e një mali, në ata që njihet si Mali i Dritës (Jabal an-Nūr).

Përtej Lindjes së Mesme, tempujt më të rëndësishëm të budizmit janë të vendosur në male. Njëjtë vepronin edhe popujt e vjetër të Amerikës, para pushtimit europian. Ndër më të njohurit prej tyre, Inkasit i vendosin tempujt e tyre në majat më të larta të maleve. Sot nga ajo kulturë ka mbetur tempulli Machu Picchu, në Malet e Andeve në Peru.

Etërit themelues të kombit shqiptar, rilindasit, e njihnin simbolikën e fuqishme të maleve në historinë e civilizimit, prandaj i hyn punës që edhe shqiptarët të kishin figurën e tyre për malin e shenjtë dhe për këtë e zgjodhën Malin e Tomorrit në Shqipërinë Jugore. Me këtë rast, Naim Frashëri shkroi : “Baba-Tomor, kish’ e Shqipërisë, mal i lartë, fron i perëndisë, tek ti vinin njerëzit që moti për të msuar se ç’urdhëron Zoti”.

Ndërkaq, në Kosovë, filozofi i parë kosovar, Pjetër Bogdani, në veprën e tij “Çeta e Profetëve” e quante Pashtrikun “Mali jonë mbretëror”, në kuptimin religjioz të kësaj fjale.

Shembujt vazhdojnë pafund, sepse kudo që është shfaqur një formë e kulturës shpirtërore të njerëzimit, aty kemi edhe figurën e një mali. Dhe, nëse ka ndonjë gjë e kanë të përbashkët të gjitha kulturat, ajo gjë është ideja mbi shenjtninë e maleve. Natyrisht, Brnabiç nuk e ka parasysh këtë fakt, sepse në fashizmin e saj kronik e shenjtë është vetëm Kosova, aty ku serbët gjithmonë kanë bërë vetëm gjëra të pashenjta, krime e gjenocid kundër popullit shqiptar dhe të cilat kurrë më nuk do të kenë rast t’i përserisin. Sa t’ nxen dielli, e t’rrezon hana, do të thoshte Gjergj Fishta.

Në fund të refleksionit tim, për desert mu kujtua shkrimtari i madh amerikan, Ernest Heminguej, i cili thoshte se ekziston vetëm një sport, e ai është ngjitja në male. Të tjerat janë thjesht lojëra.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!