×
Opinione

Editorial i Reporterit: Vetëvendosje po “heqë dorë” nga emri

Reporteri
27 Janar 2020 | 22:15

Editorial i Gazetës Online ‘Reporteri’


JO Negociata, Vetëvendosje! Jo Negociata, Vetëvendosje! PO Negociata, JO Vetëvendosje!


Pavetëdijshëm parullën e fundit mund ta keni lexuar gabim, pasi ka një ndryshim të vogël që nuk bie në sy. Është kaq i vogël, mirëpo tregon një lëvizje të madhe të partisë së Albin Kurtit.

Që nga 12 qershori i vitit 2005, Albin Kurtin jemi mësuar ta shohim të vetëm dhe me kokën lartë. “Kokën lartë e gjoksin para”, ishin madje edhe disa fjalë që shpesh i përdorte kur fliste për krenarinë që duhet të kenë politikanët edhe, siç besonte dikur ai, përballë ambasadorëve të shteteve të QUINT-it.

Edhe në vitet pasi u fut në Kuvend, Kurti shquhej se nuk e çante kokën. Në fakt, kur u fut në Kuvend, ai u bë pengesë edhe më e madhe, bile edhe për proceset që ishin të sponsorizuara nga ambasadorët.

I pari i VV-së gjuante gaz, nuk kundërshtonte hedhjen e molotovit e as protestat e dhunshme, vetëm që kosovarët të vendosnin si të pavarur. Ishte idhtar dhe proklamues i jashtëzakonshëm i nevojës për të vendosur kosovarët për Kosovën, sidomos për çështjet e brendshme, dhe kundërshtar i madh i ndikimit të të huajve, sidomos në çështjet e brendshme.

“Thaçit i intereson se kjo ndërhyrje të jetë prej ndërkombëtareve, prej ambasadorëve, prej të huajve për kompromis. Ai nuk po thotë më se i ka numrat, por po kërkon qeveri gjithëpërfshirëse. Neve na intereson që ndërhyrjen jashtë parlamentare ta bëjnë qytetarët”, thoshte në një rast ai.

Por ndryshe po mendon sot njeriu më opozitar që njeh Kosova. Kur ka dështuar në mbi 20 takime me LDK-në për ta bërë Qeverinë, e ka zgjedhur një opsion të dhimbshëm: Të heqë dorë nga historia e partisë së tij, rrjedhimisht nga emri. Kjo pasi, siç e tha vetë partia, koalicionin me LDK-në po pret t’ia bëjnë ndërkombëtarët.

“Palët u pajtuan që nesër të zhvillohet një takim tjetër bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me Shefen e Misionit të BE-së”, thanë ata.

Do të thotë, nga qëndrimi se vetë duhet të vendosin për gjithçka – ose të paktën për çështjet e brendshme – Albin Kurti ka thirrur takim ku ndërmjetës do të jenë vendet e QUINT-it, për të cilët jo rrallë linte të kuptohej se janë “pushtues modern” që diktojnë çdo gjë. Si për ironi, ky takim do të vendos për çështjen më të brendshme që ka një shtet, që është Qeveria.

Sidoqoftë, Kurtit i kërkohej në vazhdimësi që të ndryshojë në këtë pikë dhe, me unanimitet, të gjithë thonin se kjo do të ishte gjë e mirë. Mirëpo, meqë Kurti ishte i vetmi njeri që i jepte vetes të drejtë deri në pakufi, e meriton ta dëgjojë një pyetje: A do të ndryshohet emri i partisë nesër?!

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!