×
Opinione

Editorial: Të rritesh me SHIK-un, të ndahesh nga SHIK-u, të përlahesh për SHIK-un

Reporteri
17 Prill 2019 | 18:02

Editorial i Reporteri.net


Ka pasur gjithmonë një legjendë urbane se Vetëvendosje ishte krijuar nga Shërbimi Informativ i Kosovës, i udhëhequr nga Kadri Veseli.


Vetëvendosje u lind si lëvizje në 2006 kundër dialogut me Serbinë, për ta kundërshtuar Pakon e Ahtisaarit me protesta e forma të ndryshme. Përkundër të gjithave, madje edhe me vrasjen e dy protestuesve në vitin 2007, kauza e tyre nuk fitoi.

Në vitin 2010 filluan betejën politike. Ata hynë në zgjedhje dhe hynë në Kuvend. Kauzë kishin bashkimin kombëtar dhe sërish kundër dialogut me Serbinë, që kishte për qëllim të normalizonte raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Protestat nuk u ndalën.

Në diskursin e tyre politik filloi më pas të jetë fjala SHIK. Kur Kadri Veseli i hyri politikës, shërbimin që ai e udhëhoqi dikur, Vetëvendosje filloi ta akuzonte si fajtorin kryesor ‘të shumë të këqijave në Kosovë’. E quanin shtetin të kapur nga SHIK-u. Madje edhe kur mediat nuk ishin në anën e tyre i akuzonin si krijim i SHIK-ut, shkruan Reporteri.net.

Me këtë diskurs ata filluan të rritën si parti. Tashmë shiheshin një opsion i mirë për ta ndryshuar gjendjen në vend.

Në zgjedhjet e vitit 2017, Vetëvendosje garoi e vetme përballë dy koalicioneve të mëdha, PDK-AAK-NISMA dhe LDK-AKR.
Koalicioni i Luftës i fitoi zgjedhjet, por si subjekt ishte Vetëvendosje që u dyfishua për të shkuar afër 30 % të votave, nga 14-16 % sa kishte dikur.

Bëri përpjekje ta kishte LDK-në afër vetës dhe disa parti të tjera në koalicionin PAN, me të vetmin qëllim, që ta largonin SHIK-un dhe PDK-në nga pozita. Por nuk arriti ta bënte këtë.

Në vjeshtën e vitit 2017 trokitën zgjedhjet lokale. Vetëvendosje shihej pretendente e fortë në shumë komuna. Dhe ashtu edhe doli. Fitoi në Prishtinë, Prizren dhe Kamenicë. Humbi në balotazh në disa prej tyre.

Kur zgjedhjet përfunduan, në vjeshtë të vonë, po vinte një dimër i ftoftë për Vetëvendosjen. Ndodhi ndarja. Gjithçka shpërtheu nga publikimi i një bisede në Viber, në të cilën Aida Derguti, asaj kohe nënkryetare e VV-së e quante ‘mut’ Albin Kurti.

Në fakt kjo bisedë ishte vetëm moment, sepse çarja në VV kishte nisur para një viti. Dhe krejt kjo, siç tashmë thuhet, për garën për kryetar të partisë dhe shpifjet për disa anëtarë. Një grup nuk e donin Albinin kryetar, një grup tjetër po. Vetë Albini nuk tërhiqej.

Dhe në vitin 2018, në javët e para të tij, 12 deputetë, zyrtarë shumë të lartë të saj u shkëputën, për të formuar Partinë Socialdemokrate.

Kur tashmë u ndanë filluan të qarkullonin legjenda e fjalë, tash edhe mes tyre, se po i shërbenin SHIK-ut. VV akuzonte të ikurit se dolën për të hyrë në strofullën e SHIK-ut, e PSD VV-në se ka mbetur me njerëzit e SHIK-ut.

Tash së voni, Dardan Molliqaj, që kishte qenë figurë qendrore në VV akuzoi Glauk Konjufcen se ka qenë pjesëtar i SHIK-ut në vitin 2000, me një pagë prej 150 marka.

Glauku dhë të tjerët ia kthyen duke e mohuar e duke e quajtur Molliqajn dhe të tjerët si argat të SHIK-ut. Aq më tepër kur tash PSD ka një aleancë të heshtur me Qeverinë, shef i së cilës në koalicion është Kadri Veseli.

Për të mos mjaftuar me kaq, Vetëvendosje akuzoi Aida Dërgutin se ka qenë në SHIK.

Ajo tha se ka qenë në G2, një shërbim inteligjent i UÇK-së dhe atë deri në korrik të vitit 1999. Në tetor, tha ajo, ndërkaq u formua SHIK-u.

Glauk Konjufca e ka paditur Dardan Molliqajn për akuzat e tij. Një seancë gjyqësore me gjasë do të jetë një tjetër show tjetër publik mes dikur miqve më të mirë.

Ndoshta as ky gjyq nuk do ta sqarojë kurrë legjendën urbane se ‘Vetëvendosja u krijua nga SHIK-u’. Por ajo që dihet është një gjë: Vetëvendosje u rrit si parti duke e sharë SHIK-un, u nda me pretendimet se ndërhyri SHIK-u, dhe tash njerëzit e saj në dy taborë po përlahen për SHIK-un.

*(Ky tekst është qëndrim redaksional i Reporteri.net).

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!