×
Opinione

Kryeministri dhe djali plangprishës

Reporteri
07 Shkurt 2020 | 20:21

Autor: Dritan Dragusha 


Në Bibël, në Dhjatën e Re, përkatësisht tek Ungjilli sipas Lukës, te pjesa Shëmbëlltyra e djalit të humbur dhe të gjetur, pas vuajtjeve dhe mjerimit që po kalonte, sepse kishte ikur nga shtëpia, djali plangprishës vendos të kthehet.


Në një çast ai i thotë vetes: “Do të çohem e do të shkoj tek im atë dhe do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! (LUKA 15, 16; seksioni 18, f. 1286). Ky është momenti që e nxiti edhe Rembrandt-in që ta bënte një pikturë sipas kësaj shëmbëlltyre biblike. Në këtë pikturë (e cila është punuar mes viteve 1661–1669), që quhet “Kthimi i djalit plangprishës”, do të vërejmë se vihet në pah shumë pendesa e të birit karshi babait apo pendesa e njeriut para Zotit. Mbi këtë narrativë me po të njëjtin emër edhe shkrimtari francez, André Gide do ta ndërtojë novelën e tij. Mirëpo, përkundër rrëfimit në Bibël dhe pikturës së Rembrandt-it, André Gide tregimin do ta ndërtojë në një format më tokësor, edhe pse si pikënisje e novelës mbetet referenca tek Ungjilli sipas Lukës.

Pra, pas vuajtjeve të shumta, e të njëpasnjëshme që po i përjetonte djaloshi ëndrrimtar duke bredhur rrugëve, në kulmin e vuajtjeve vendos të kthehet në shtëpi, prej ku kishte ikur. Normalisht që kthimi i tij shoqërohet me një shqyrtim serioz me veten, sepse rruga që e kishte ndjekur ishte vetëm një zgjedhje e tij dhe nëpërmjet saj kërkonte t’i jepte kuptim dilemave të tij. Kthimi i djalit plangprishës në shtëpi sjell një entuziazëm të pashoq te familja, sidomos te prindërit. Që në momentin e takimit me baban e tij, ky i fundit e pret krahëhapur, djali plangprishës i bie në gjunjë dhe i thotë me përgjërim: “O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir!” Por, babai e pret me gëzim, i urdhëron shërbëtorët që ta pastrojnë, ta veshin me rroba të reja dhe për kthimin e tij ta presin viçin më të majmë që kanë në stallë. Pas një darke të paharruar, shkrimtari André Gide na tregon sesi të nesërmen djali plangprishës do të ballafaqohet me babanë e tij. Qortimet e babait nga djali priten me një përultësi, sepse përjetimet e këqija gjatë kohës sa ishte rrugëve e kishin bërë të butë. Krenaria e tij ishte aq e nemitur sa të ngjallte një ndjenjë sa neverie, po aq edhe dashamirësie. Po ashtu, djali plangprishës në ditët në vijim do të ballafaqohet me kritikat e vëllait të madh me të cilin vërehet se ende ka acarim dhe me nënën e tij, e cila me butësinë e saj i shpreh brengat që kishte kur ai nuk ishte në shtëpi dhe se ajo nuk dinte asgjë për fatin e tij, por që çdoherë ishte lutur që të kthehej një ditë. Duke diskutuar me nënën e tij, ajo ia shpreh shqetësimin për djalin e vogël, i cili sipas nënës, i ka ngjarë këtij, djalit plangprishës. Ajo i tregon sesi e ka vërejtur tendencën e tij që edhe ai të ikë nga shtëpia dhe i kërkon djalit plangprishës që t’i flasë vëllait të tij më të vogël, sepse, sipas nënës, ai do ta dëgjonte vetëm djalin plangprishës të cilin e admironte.

Dhe një natë djali plangprishës vendos që të shkojë në dhomën e vëllait më të vogël. Është interesant sesi shkrimtari André Gide thelbin e tregimit e vendos te këto dy personazhe. Vëllai i vogël ka vendosur që të ikë nga shtëpia dhe këtë në mes të bisedës ia rrëfen edhe djalit plangprishës. Ai kishte ndërtuar një adhurim (deri në idealizim) për vëllain e tij. Është i etur që të mësojë nga ky sesi ishte jeta jashtë shtëpisë, mirëpo, ky si i kthyer dhe i penduar mundohet që t’i tregojë për vështirësitë, për mjerimin që e pret jashtë shtëpisë dhe në një moment vëllai e pyet: “Kur u nise, e ndieje se po bëje keq?”, dhe djali plangprishës ja kthen: “Jo, largimin e ndieja si një detyrim për t’u kthyer. Pra, “…ti hoqe dorë nga të qenit ai që doje të ishe”. Siç vërejmë në mes djalit plangprishës dhe vëllait të vogël, debati përvijon mes kritikës dhe akuzës, mes konformizmit dhe kompromisit.

Në shumë aspekte rrëfimi i shkrimtarit André Gide ngjet edhe me figurën e kryeministrit të sapozgjedhur të Republikës së Kosovës. Në njëfarë mënyre edhe kryeministri me idetë dhe veprimet e tij kishte ikur nga Shtëpia. Përmes aktivitetit të tij kishte shpërfaqur revoltën me rendin që po ndërtohej dhe udhëhiqej në vend. Kjo në sytë e qytetarëve e bënte atë një politikan plangprishës. Me veprimet e tij të njëpasnjëshme krijonte një hendek mes tij dhe qytetarëve deri në ato përmasa ku nuk e shihnin më njëri-tjetrin. Ashtu sikur djalin plangprishës të shkrimtarit André Gide, që familja e tij e priti të kthehej një ditë, edhe qytetarët e Kosovës ishin në pritje të kthimit të politikanit plangprishës. Po ashtu, sikurse me shumë zemërgjerësi që e priti familja e tij djalin plangprishës, për të cilin natën e kthimit shtroi darkën e paharruar, ashtu edhe qytetarët e Kosovës kthimin e politikanit plangprishës e peritën krahhapur, madje duke ia dhënë votën dhe besimin që të bëhet kryeministër i tyre, post të cilin tanimë edhe po e ushtron.

Mirëpo, një pyetje mbetet pa përgjigjje, se kryeministri i ri, a është ai politikani i vjetër plangprishës, i cili vetëm ka bërë një kompromis të momentit, e që në çastin e plleshëm për të, ai do ta heqë maskën dhe do ta nxjerrë të vërtetin që qytetarët tanimë e njohin (kjo mbetet të shihet), apo njëmend ky ka qenë gjithnjë një konformist dhe si i tillë ka operuar vazhdimisht tash e 20 vite në skenën politike. E gjithë kjo ende nuk mund të marrë përgjigje, sepse ende jemi sikur në entuziazmin e familjes së djalit plangprishës. Mirëpo, shpejt do ta kuptojmë se cili është në të vërtetë kryeministri: ai që “e njohim”, apo ky që po deklarohet.

P. S.

Te rrëfimi i shkrimtarit André Gide, djali plangprishës e ndihmon vëllain e tij të vogël që atë natë të ikë nga shtëpia, duke e këshilluar që të mos kthehet kurrë më në shtëpi dhe mos të shikojë asnjëherë mbrapa (sic). Të nesërmen shtëpinë prapë e ka kapluar zymtësia.

(*Ky opinion së pari është botuar në Sbunker). 

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!