Një person mund të arrestohet sot, të akuzohet nesër dhe të shpallet i pafajshëm pas disa vitesh. Por, nëse media e ka shpallur fajtor që në ditën e parë, kush ia kthen atij reputacionin e humbur? Gazetaria ka për detyrë t’i zbulojë shkeljet dhe të kërkojë llogaridhënie, por jo ta zëvendësojë gjykatën.

Secili prej nesh mund të arrestohet, të akuzohet, madje edhe të dënohet në shkallë të parë e të dytë, por në fund të procesit gjyqësor të shpallet i pafajshëm me vendim të formës së prerë. Një përvojë e tillë mund t’ia ndryshojë jetën secilit prej nesh.

Përtej procesit në gjykatë, rëndësi të madhe ka edhe gjykimi publik që i bëhet secilit rast. “Arrestohet mashtruesi që u mori mijëra euro qytetarëve”. Ky mund të jetë një titull i zakonshëm që shpërndahet me shpejtësi në portale dhe rrjete sociale. Brenda pak orësh, emri dhe fotografia e qytetarit bëhen të njohura për mijëra njerëz.

Reklamë

Familjarët e tij përballen me pyetje. Fëmijët mund të paragjykohen në shkollë. Në vendin e punës fillojnë dyshimet. Por, për opinionin publik, duket se nuk ka më dyshime: ai tashmë njihet si mashtrues. Sepse kështu raportuan mediat, duke e paraqitur dyshimin si fakt të vërtetuar.

Por, çfarë ndodh nëse prokuroria e pushon hetimin ose gjykata e shpall të pafajshëm? A do të ketë lajmi për pafajësinë e tij të njëjtën vëmendje si lajmi për arrestimin? A do ta publikojnë këtë zhvillim të gjitha mediat që e shpallën mashtrues? Dhe, mbi të gjitha, kush e riparon dëmin që i është shkaktuar?

Ky shembull ilustrues na kujton një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të gazetarisë: respektimin e prezumimit të pafajësisë, një parim themelor i drejtësisë penale, që mbrohet nëpërmjet legjislacionit dhe standardeve të etikës profesionale.

Kjo çështje trajtohet edhe në Kapitullin V të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili përcakton standardet etike për raportimin mbi personat e përfshirë në incidente, aksidente, si dhe mbi personat e arrestuar apo të akuzuar për vepra penale.

Arrestimi nuk është dënim

Në Kosovë, pothuajse çdo ditë publikohen lajme për arrestime, hetime, aktakuza dhe dënime gjyqësore. Raportimi për këto zhvillime paraqet interes publik. Qytetarët kanë të drejtë të informohen për veprimet e Policisë, Prokurorisë dhe gjykatave, veçanërisht për rastet e korrupsionit, krimit të organizuar apo veprat e tjera me interes publik. Megjithatë, ekziston një dallim thelbësor ndërmjet arrestimit të një personi dhe vërtetimit të fajësisë së tij.

Reklamë

Arrestimi është veprim procedural, ndërsa arresti shtëpiak, paraqitja në stacionin policor dhe paraburgimi janë masa të parashikuara me ligj për sigurimin e pranisë së të pandehurit dhe për qëllime të tjera të ligjshme procedurale. Këto masa nuk janë dënime.

As aktakuza nuk është dënim, por përmban pretendimet e prokurorisë. Ndërsa gjykata vendos mbi fajësinë ose pafajësinë, në përputhje me ligjin dhe provat e shqyrtuara gjatë gjykimit.

Prandaj, gazetari duhet ta ketë gjithmonë parasysh se i dyshuari, i pandehuri, i paraburgosuri apo i akuzuari nuk mund të paraqitet si fajtor pa u vërtetuar fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Ja një shembull se si mënyra e raportimit mund të krijojë perceptim të gabuar: Policia arreston një zyrtar publik nën dyshimin për korrupsion. Një portal publikon titullin: “Arrestohet zyrtari që mori ryshfet”. Një tjetër shkruan: “Arrestohet zyrtari i dyshuar për marrje ryshfeti”. Të dy lajmet flasin për të njëjtën ngjarje, por nuk e thonë të njëjtën gjë. I pari ia atribuon zyrtarit kryerjen e veprës penale si fakt të vërtetuar. I dyti e informon publikun për dyshimin dhe veprimin e autoriteteve. Dallimi është i vogël në numrin e fjalëve, por shumë i madh në përgjegjësinë etike dhe profesionale.

Reklamë

Gazetari nuk është gjyqtar

Në shoqëritë demokratike gazetaria hulumtuese ka rol të pazëvendësueshëm. Ajo zbulon keqpërdorime, dokumenton shkelje, ballafaqon zyrtarët me fakte dhe nxjerr në publik informacione që institucionet ndonjëherë përpiqen t’i fshehin.

Megjithatë, gazetari nuk e ka kompetencën ta shpallë dikë fajtor në kuptimin juridik. Përvoja mbi dydekadëshe në raportimin nga sistemi i drejtësisë më ka mësuar se e vërteta nuk është gjithmonë ajo që paraqitet në komunikatën e policisë, në pretendimet e prokurorisë apo në deklarimet e mbrojtjes. Madje, edhe vendimet gjyqësore mund të ndryshojnë gjatë shqyrtimit të mëtejshëm.

Një dosje penale mund të përmbajë prova të fuqishme, por edhe pretendime që nuk vërtetohen gjatë gjykimit. Një dëshmitar mund ta ndryshojë deklaratën. Një ekspertizë mund të kundërshtohet. Një provë mund të shpallet e papranueshme. Prandaj, gazetari duhet ta raportojë saktë atë që dihet në secilën fazë të procedurës, duke e ndarë faktin e verifikuar nga dyshimi dhe pretendimi.

Kjo nuk do të thotë të heshtim përballë dyshimeve serioze për korrupsion apo krim. Përkundrazi, do të thotë të raportojmë me guxim, me prova dhe me përgjegjësi. Prezumimi i pafajësisë nuk është mburojë kundër gazetarisë kritike. Është mbrojtje kundër paragjykimit.

Reklamë

Kur fotografia bëhet dënim publik

Një nga dilemat më të shpeshta etike lidhet me publikimin e emrave dhe fotografive të personave të arrestuar apo të dyshuar. Jo çdo person që përfundon në një stacion policor duhet domosdoshmërisht të përfundojë me emër, mbiemër dhe fotografi në media.

Në raste të caktuara, identifikimi është në interes publik, sidomos kur bëhet fjalë për zyrtarë me përgjegjësi publike ose ngjarje që kërkojnë llogaridhënie institucionale. Por, gazetari duhet të shtrojë disa pyetje: Pse duhet ta publikoj fotografinë apo emrin e këtij personi? Çfarë përfiton publiku nga identifikimi i tij? A është ky informacion i domosdoshëm për ta kuptuar ngjarjen? Nëse përgjigjja është vetëm se fotografia sjell më shumë klikime, atëherë kemi një problem serioz etik dhe profesional. Sepse interesi publik nuk është i njëjtë me kuriozitetin e publikut.

Kjo përgjegjësi është edhe më e madhe kur raportojmë për aksidente, incidente dhe ngjarje ku përfshihen viktima. Dinjiteti dhe privatësia e njerëzve nuk duhet të sakrifikohen për një titull sensacional.

Lajmi nuk përfundon me arrestimin, ndiqe deri në fund

Një nga mangësitë që vërehet në raportimin për drejtësinë është mungesa e vazhdimësisë.

Reklamë

Arrestimi shpesh merr hapësirë të madhe mediatike. Publikohen emrat, fotografitë dhe dyshimet. Por, kur procedura përfundon, interesimi i mediave shpesh zbehet. Nëse një person lirohet nga akuza, nëse hetimet pushohen apo nëse gjykata merr një vendim që ndryshon rrjedhën e rastit, publiku duhet të informohet edhe për këtë zhvillim. Përndryshe, qytetari mbetet peng i lajmit të parë. Imagjinoni sikur një portal ta kishte publikuar arrestimin tuaj në ballinë, ndërsa pafajësinë tuaj ta publikonte pas tri vitesh në një lajm të shkurtër që mezi lexohet. A do ta konsideronit këtë raportim të drejtë?

Pikërisht këtu matet përgjegjësia e medias: jo vetëm në shpejtësinë e publikimit të arrestimit, por edhe në gatishmërinë për ta ndjekur rastin deri në përfundim.

Në redaksinë e “Betimit për Drejtësi”, ku raportohen qindra e mijëra lajme të kësaj natyre, për shkak të numrit të madh të rasteve nuk kemi gjithmonë mundësi t’i ndjekim të gjitha procedurat deri në përfundim. Në raste të tilla, palët na drejtohen dhe na njoftojnë se ndaj tyre janë pushuar hetimet, janë liruar nga akuza apo janë shpallur të pafajshme. Redaksia bashkëpunon me të gjithë, duke ua kërkuar vendimet përkatëse, të cilat verifikohen dhe më pas raportohen me saktësi. Këtë praktikë duhet ta ndjekin të gjitha mediat që, për shkak të kapaciteteve të kufizuara, nuk kanë mundësi t’i përcjellin vazhdimisht të gjitha rastet.

Drejtësia nuk duhet të zhvillohet në tituj portalesh

Në epokën e rrjeteve sociale, një titull i papërgjegjshëm mund të shkaktojë pasoja shumë më të mëdha sesa vetë artikulli. Shumë qytetarë lexojnë vetëm titullin. Të tjerët e shpërndajnë pa e hapur lajmin. Kështu, një dyshim i raportuar gabimisht mund të shndërrohet në bindje kolektive për fajësinë e dikujt. Prandaj, përgjegjësia editoriale fillon nga titulli dhe vazhdon te përmbajtja, fotografia dhe mënyra e shpërndarjes së lajmit.

Një lajm mund të jetë i saktë në një fjali, por i padrejtë në tërësi. Nëse raportojmë vetëm akuzën e prokurorisë dhe lëmë jashtë kundërshtimin e mbrojtjes, publiku merr informacion të cunguar.

Përgjegjësia e gazetarit përfshin tërësinë e raportimit: dëgjimin e palëve relevante, verifikimin e fakteve, titullin e saktë dhe përdorimin e përgjegjshëm të fotografisë, videos dhe tekstit.

Gjykatat duhet të vendosin mbi bazën e provave dhe ligjit, ndërsa mediat duhet të raportojnë mbi bazën e fakteve dhe standardeve profesionale.

Gazetaria nuk ka pse ta zëvendësojë drejtësinë për t’i shërbyer asaj. Detyra e saj është ta mbikëqyr drejtësinë, t’i ekspozojë dështimet dhe të kërkojë llogaridhënie.

Kapitulli V i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës nuk është pengesë për raportimin e krimit, por udhërrëfyes për një gazetari të përgjegjshme, të saktë dhe të paanshme.

Në fund, mbrojtja e prezumimit të pafajësisë nuk është vetëm mbrojtje e personit për të cilin raportohet. Është mbrojtje e besueshmërisë së medias, e integritetit të drejtësisë dhe e së drejtës së qytetarëve për t’u informuar saktë.

Sepse gazetari ka të drejtë të zbulojë, të hetojë, të kritikojë dhe të kërkojë përgjegjësi. Por nuk ka të drejtë ta shpallë fajtor një person para se këtë ta bëjë gjykata me vendim të formës së prerë.

Dhe, nëse nesër gjykata e shpall të pafajshëm, lajmi për pafajësinë e tij duhet të ketë po aq rëndësi sa lajmi për arrestimin.

(Autori është kryeredaktor i medias online Betimi për Drejtësi. Artikulli është shkruar për KMShK-në në kuadër të projektit të UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore: Mbështetje për gazetarinë si e mirë publike”, i financuar nga Bashkimi Evropian. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë ekskluzivisht të KMShK-së dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e UNESCO-s dhe të Bashkimit Evropian. #TrustInMediaSEE)