Pas shumë shkeljeve që dalin në publik qëndron dikush që ka vendosur të mos heshtë. Informacionet e tij mund të zbulojnë korrupsion, keqpërdorime e padrejtësi, por jo gjithçka që thotë një sinjalizues duhet marrë si e vërtetë. Media duhet t’i verifikojë pretendimet e tij, ta mbrojë burimin dhe t’i dëgjojë edhe ata për të cilët raportohet. Por, historia nuk përfundon me publikimin e lajmit. Nëse ai që ka vendosur të flasë përballet më pas me kërcënime, degradim apo largim nga puna, media ka përgjegjësi t’i ndjekë, t’i verifikojë dhe t’i raportojë edhe këto veprime të mundshme hakmarrëse. Sepse nuk mjafton ta nxjerrësh në dritë një shkelje, ndërsa ta lësh në harresë atë që pati guximin ta raportojë.
Çdo ditë në institucionet tona merren vendime që ndikojnë në jetën e qytetarëve. Për disa prej tyre mësojmë kur bëhen publike, për disa të tjera shohim vetëm pasojat, pa e kuptuar asnjëherë se çfarë ka ndodhur prapa tyre. Ka edhe vendime që përgatiten larg syve të publikut, prapa dyerve të mbyllura, por pasojat e të cilave i ndiejmë të gjithë. Kush i ka marrë, si janë marrë dhe interesave të kujt u kanë shërbyer janë pyetje që jo gjithmonë marrin përgjigje.
Fatmirësisht, brenda këtyre institucioneve ka njerëz që mund ta dinë shumë mirë se çfarë ka ndodhur, kush ka ndikuar dhe çfarë po përgatitet të ndodhë. Ndonjëherë, janë pikërisht këta njerëz që mund ta nxjerrin në dritë atë që për publikun mbetet e fshehtë.
Mund të jetë emri i një personi që dihet se do të punësohet, ende pa u shpallur konkursi. Një lëndë gjyqësore për të cilën dikush e di paraprakisht se si do të vendoset, edhe pse gjykimi ende vazhdon. Një tender në ministri për ndërtimin e një rruge, fituesi i të cilit mund të jetë caktuar para se të hapen ofertat. Apo mungesa e barnave në një spital, ku pacientët detyrohen t’i blejnë vetë, ndërsa dikush brenda e di pse ato nuk janë siguruar. Edhe pas një vendimi për shtrenjtimin e rrymës mund të ketë informacione që publiku nuk i di, por që ngrenë dyshime për mënyrën se si janë llogaritur kostot.
Këto janë pak nga situatat ku ajo që qytetarët shohin është pasoja, ndërsa ajo që ka ndodhur fshehur mes burokracisë mund të dihet vetëm nga njerëzit që kanë qenë aty, që i kanë parë dokumentet, i kanë dëgjuar bisedat ose kanë qenë dëshmitarë të mënyrës se si janë marrë vendimet.
Në Kosovë, e dëgjojmë shprehjen: “E kam njerin mrena”. Zakonisht përdoret kur dikush ka një person brenda një institucioni, që e di se çfarë po ndodh aty, edhe kur të tjerët nuk kanë dijeni. Por ai “njeri mrena” mund të jetë shumë më tepër sesa dikush që na tregon një informacion para të tjerëve. Mund të jetë një punonjës që ka parë dokumente, ka dëgjuar për një marrëveshje të dyshimtë apo ka kuptuar se po përgatitet një shkelje e ligjit.
Nëse ai “njeri mrena” vendos të mos heshtë, por t’i raportojë këto informacione për të mbrojtur interesin publik, nëse plotëson kushtet e ligjit, ai mund të marrë cilësinë e sinjalizuesit. Ndonjëherë, informacioni që ai ka vendosur ta ndajë me të tjerët përfundon në një redaksi, duke nxjerrë në dritë atë që deri atëherë mund të jetë ditur vetëm nga pak njerëz brenda institucionit.
Këto pyetje nuk janë vetëm dilema që secili gazetar duhet t’i zgjidhë vetë. Ato trajtohen edhe në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili në Kapitullin VIII u kushton një vend të veçantë sinjalizuesve dhe mënyrës se si duhet të raportojnë mediat për ta. Kodi kërkon që sinjalizuesit të trajtohen drejt dhe t’u jepet mundësi e barabartë me personat e tjerë të përfshirë në artikull.
Kodi e konsideron shkelje të rëndë fillimin e fushatave linçuese apo degraduese për ose kundër sinjalizuesve apo personave të lidhur me ta, ndërsa kërkon që personat ndaj të cilëve bëhet sinjalizimi të trajtohen si të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Pra, Kodi nuk kërkon që media t’i besojë pa kushte sinjalizuesit, por as ta vërë atë në shënjestër vetëm pse ka vendosur të flasë. Një gjë është të marrësh informacion për një shkelje të mundshme, e tjetër është ta verifikosh, ta ballafaqosh me faktet dhe ta publikosh me kujdes. Fakti që dikush sinjalizon nuk do të thotë se gjithçka që thotë është e vërtetë, ashtu si mohimi i pretendimeve nga një institucion nuk do të thotë se ato janë të pabaza.
Kush ia jep emrin sinjalizuesit?
Në Kosovë, ligji dikur i quante informatorë. Kështu i përcaktonte ligji i vitit 2011 personat që, në mirëbesim, raportonin veprime të dyshuara të kundërligjshme. Në vitin 2018, me miratimin e Ligjit nr. 06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, ndryshimi nisi që nga emri, mbase edhe si përpjekje për t’iu larguar asociacioneve negative që fjala informator mund të sillte nga e kaluara. Por ndryshimi nuk mbeti vetëm te emërtimi. Ligji i ri përcaktoi më qartë se kush mund të sinjalizojë, çfarë mund të raportohet dhe si duhet të mbrohet personi që vendos të flasë.
Nuk është e nevojshme që shkelja të ketë ndodhur apo dëmi të jetë shkaktuar: ligji lejon edhe raportimin e një shkeljeje që ka gjasa të ndodhë. Megjithatë, jo çdo pakënaqësi në vendin e punës është sinjalizim dhe as secili që e quan veten sinjalizues e fiton automatikisht mbrojtjen ligjore. Rëndësi kanë interesi publik, rrethanat e raportimit dhe besimi i arsyeshëm në vërtetësinë e informacionit.
Ligji njeh sinjalizimin e brendshëm, atë të jashtëm tek autoritetet kompetente dhe në kushte të caktuara, sinjalizimin publik, përfshirë nëpërmjet mediave. Sipas nenit 20, shpalosja publike mund të mbrohet, ndër të tjera, kur personi ka arsye të besojë se raportimi në rrugë institucionale do ta ekspozonte ndaj ndëshkimit, se provat mund të zhduken, kur ekziston një kërcënim serioz i menjëhershëm ose kur autoritetet nuk kanë vepruar brenda afatit ligjor.
Pikërisht këtu takohen sinjalizuesi dhe gazetari: njëri kërkon të nxjerrë në dritë një shqetësim me interes publik, tjetri duhet ta vlerësojë informacionin në mënyrë të pavarur. Këtu merr rëndësi edhe Kapitulli VIII i Kodit të KMSHK-së, i cili kërkon mbrojtjen e burimeve konfidenciale, edhe kur personi nuk e ka kërkuar shprehimisht këtë. Sepse burimi mund të zbulohet jo vetëm nga emri, por edhe nga një dokument, datë apo hollësi që e bën të identifikueshëm.
Krahas Kodit, Ligji nr. 04/L-137 për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë u njeh gazetarëve mbrojtje juridike për ruajtjen e burimeve të informacionit; kjo mund të jetë veçanërisht e rëndësishme kur një sinjalizues i drejtohet medias në konfidencë.
Megjithatë, burimi gazetaresk dhe sinjalizuesi nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë. Jo kushdo që jep informacion nga brenda një institucioni i plotëson kushtet ligjore të sinjalizimit dhe jo çdo sinjalizues e bën publik rastin e vet. Këto dallime kanë rëndësi për gazetarin, i cili duhet të kuptojë se çfarë mbrojtje mund të ketë personi dhe cilat përgjegjësi i takojnë vetë redaksisë. Përvoja e Kosovës tregon pse ky dallim nuk është vetëm teorik.
Kur sinjalizuesi bëhet lajm: Përvoja e Kosovës
Në Kosovë ka pasur raste kur punonjës të institucioneve kanë raportuar shkelje të dyshuara, ndërsa më pas kanë pretenduar se janë përballur me presione ose ndëshkime. Për median, këto raste kanë dy anë: çfarë po denoncohet dhe çfarë ndodh me personin që ka folur.
Një nga shembujt më të drejtpërdrejtë të kësaj lidhjeje është ai i Murat Mehmetit, ish-hetues në Administratën Tatimore të Kosovës. Në vitin 2016, ai foli në hulumtimin e emisionit Jeta në Kosovë, “Vjedhja e Organizuar Tatimore”, për një skemë të dyshuar të evazionit fiskal me fatura fiktive dhe për pengesa të pretenduara në hetimet brenda ATK-së. Rrëfimi i tij u bë pjesë e një hulumtimi mediatik, ndërsa pas publikimit u hap edhe një çështje tjetër: mënyra se si institucioni po i trajtonte punonjësit që komunikonin me gazetarët.
Në një raportim të KALLXO.com u publikua përmbajtja e një shkrese të ATK-së e 29 nëntorit 2016, me të cilën kërkohej miratim paraprak për komunikim me mediat dhe paralajmëroheshin sanksione. Mehmeti pretendoi se ishte përballur me presione lidhur me pozitën e punës. Kështu, raportimi nuk u kufizua te dyshimet për shmangie tatimore, por shqyrtoi edhe reagimin institucional pas daljes së informacionit në publik. Kjo nuk provon vetvetiu se çdo masë ndaj tij ishte hakmarrje, por tregon pse reagimi ndaj burimit mund të bëhet vetë çështje me interes publik.
Një situatë tjetër u trajtua në rastin e Fadil Hoxhës, kryetar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, i cili gjatë vitit 2022 kishte raportuar parregullsi të dyshuara në menaxhimin e transmetuesit publik. Pas uljes në pozitë, ai pretendoi se masa lidhej me sinjalizimet dhe aktivitetin sindikal; RTK-ja e kundërshtoi këtë lidhje.
Në vitin 2023, KALLXO.com ndoqi përballjen e Hoxhës me RTK-në në gjykatë dhe vendimmarrjen e Inspektoratit të Punës, i cili vërtetoi gjobën prej 3 mijë eurosh për shkelje në rastin e degradimit. Gjykata refuzoi kërkesën e tij për masë të sigurisë, por kjo nuk ishte zgjidhje përfundimtare e kontestit. Raportimi mediatik ndihmon pikërisht kur dallon çfarë kanë konstatuar institucionet nga ajo që palët vazhdojnë ta pretendojnë: konstatimi i shkeljeve në procedurën e degradimit nuk është automatikisht konstatim se kishte hakmarrje për sinjalizimin.
Edhe rasti i Ermal Kutllovcit, ish-zyrtar në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është ndjekur nga mediat për shkak të kundërshtimeve që ai kishte shprehur ndaj procedurave të furnizimit të Rezervës Shtetërore. Në janar 2024, KOHA.net raportoi për largimin e tij nga puna. Kutllovci e lidhi vendimin me qëndrimet e tij për furnizimet, ndërsa Ministria e arsyetoi me shkelje disiplinore, përfshirë tejkalimin e hierarkisë institucionale. Më pas, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ndërhyri në vendimmarrje dhe ai u rikthye në punë, por mbeti në fuqi masa e ndalimit të avancimit për dy vjet, të cilën e kundërshtoi në gjykatë. Raportimet për këto zhvillime mundësojnë të shihet se si ndryshon situata e një personi pas denoncimit, pa u nxjerrë përfundimi se çdo masë disiplinore përbën hakmarrje të provuar.
Vëmendje ka marrë edhe rasti i Makfirete Dibranit, zyrtare në Ministrinë e Mjedisit, e cila raportoi keqpërdorime të dyshuara lidhur me faljen e borxheve të kompanive që ambalazhojnë ujin. Në një diskutim publik të Lëvizjes FOL në vitin 2024, ajo foli për presione, procedura disiplinore dhe përpjekje për diskreditim. FOL e nderoi me Çmimin për Guxim Qytetar 2024. Në një aktivitet të vitit 2025, avokati i saj deklaroi se ajo ishte përballur edhe me kërcënime. Këto janë pretendime që meritojnë verifikim dhe ndjekje mediatike, jo përfundime të gatshme për përgjegjësinë e ndonjë personi apo institucioni.
Përtej këtyre historive, Lëvizja FOL ka ngritur shqetësime për mekanizmat e sinjalizimit, veçanërisht në sektorin privat. Sipas të dhënave të paraqitura nga organizata në vitin 2024, për periudhën 2020–2022 subjektet private kishin dorëzuar vetëm pesë raporte vjetore për sinjalizimin. Kjo shifër nuk tregon sa shkelje kanë ndodhur, por ngre pyetje për funksionimin dhe përdorimin e kanaleve të raportimit. Edhe për median, dallimi mes mungesës së raportimeve dhe mungesës së shkeljeve është thelbësor.
Rastet ndryshojnë si për nga faktet, ashtu edhe për nga ecuria institucionale. As çdo masë ndaj një punonjësi që ka sinjalizuar nuk është domosdoshmërisht hakmarrje, as mungesa e një aktgjykimi përfundimtar nuk e përjashton raportimin për presione të besueshme dhe të dokumentuara. Për gazetarin ka rëndësi të kërkojë prova, t’i ballafaqojë pretendimet me përgjigjet e institucioneve dhe të mos e ngatërrojë rezultatin e një procedure me vërtetimin e të gjitha pretendimeve.
Kjo qasje përputhet me frymën e Kapitullit VIII të Kodit të KMSHK-së: trajtim të drejtë për sinjalizuesin, por edhe për personat ndaj të cilëve ngrihen dyshime. Se çfarë mund të ndodhë kur konflikti mes interesit publik, konfidencialitetit dhe ndëshkimit arrin deri në gjykatë, e tregon edhe përvoja evropiane.
Mësimet nga përvoja evropiane
Në vende të tjera evropiane, njerëzit që kanë zbuluar shkelje janë larguar nga puna, janë ndjekur penalisht ose janë përballur me pasoja të tjera. Disa raste kanë përfunduar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), e cila ka zhvilluar standarde për mbrojtjen e lirisë së shprehjes në situata të tilla.
Një ndër rastet më të njohura është Guja kundër Moldavisë. Në vitin 2003, Iacob Guja, punonjës i Prokurorisë së Përgjithshme të Moldavisë, i dorëzoi një gazete dy shkresa që ngrinin dyshime për ndërhyrje politike në procedura penale. Pas publikimit, ai u largua nga puna për shkelje të rregullave të brendshme të konfidencialitetit.
Më 12 shkurt 2008, GJEDNJ konstatoi shkelje të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ajo mori parasysh interesin publik, besueshmërinë e dokumenteve, rrugët e mundshme të raportimit dhe ashpërsinë e masës ndaj Gujës. Historia nuk përfundoi me atë aktgjykim. Pas rikthimit në punë, ai u largua përsëri vetëm dhjetë ditë më vonë. Në vitin 2018, në çështjen Guja kundër Moldavisë (nr. 2), GJEDNJ konstatoi një tjetër shkelje të nenit 10, duke e lidhur largimin e dytë me hakmarrjen për shpalosjen e mëparshme.
Për median, rasti tregon se pasojat për sinjalizuesin mund të vazhdojnë edhe pasi është publikuar informacioni dhe pasi gjykata ka konstatuar shkeljen e të drejtave të tij. Kjo nuk do të thotë se gazeta që botoi dokumentet kishte detyrimin ligjor të ndiqte çdo zhvillim personal të Gujës. Por largimi i tij i dytë ishte një fakt me peshë publike, sepse lidhej drejtpërdrejt me të njëjtin informacion dhe me efektivitetin e mbrojtjes që ai kishte fituar në gjykatë.
Një rast tjetër është Halet kundër Luksemburgut, i lidhur me zbulimet LuxLeaks. Raphaël Halet, punonjës i PricewaterhouseCoopers, i dha një gazetari dokumente konfidenciale për praktikat e trajtimit tatimor të kompanive shumëkombëshe. Materialet kontribuuan në raportime që nxitën debat ndërkombëtar. Halet u dënua penalisht me gjobë prej 1,000 eurosh dhe, në vitin 2021, një dhomë e GJEDNJ-së nuk gjeti shkelje të lirisë së shprehjes.
Më 14 shkurt 2023, Dhoma e Madhe arriti në përfundim të kundërt: dënimi kishte shkelur nenin 10. Gjykata vlerësoi se interesi publik i informacionit, në rrethanat e çështjes, kishte peshë më të madhe se dëmi i pretenduar ndaj punëdhënësit. Ajo shqyrtoi edhe autenticitetin e dokumenteve, mënyrën e shpalosjes dhe efektin dekurajues që dënimi mund të kishte te sinjalizuesit e tjerë.
Të dyja çështjet tregojnë se detyrimi i konfidencialitetit nuk e zgjidh vetvetiu dilemën. Duhet parë çfarë është zbuluar, në çfarë rrethanash, sa i besueshëm është informacioni dhe pse publiku ka interes ta dijë.
Këto standarde plotësohen nga Direktiva (BE) 2019/1937 për mbrojtjen e sinjalizuesve. Neni 6 e lidh mbrojtjen, ndër të tjera, me arsye të bazuara për të besuar se informacioni ishte i vërtetë në kohën e raportimit, jo me domosdoshmërinë për ta provuar përfundimisht shkeljen. Neni 15 parasheh mbrojtjen e shpalosjes publike në rrethana të përcaktuara, përfshirë rrezikun e hakmarrjes, zhdukjen e provave apo rrezikun e afërt për interesin publik.
Në vitin 2026, BE-ja miratoi edhe Direktivën (BE) 2026/1021 për luftimin e korrupsionit, e cila hyri në fuqi më 31 maj 2026. Ajo e lidh mbrojtjen e personave që raportojnë veprat e korrupsionit të mbuluara nga direktiva me standardet e Direktivës 2019/1937. Afati i përgjithshëm për transpozimin e saj nga shtetet anëtare është 1 qershori 2028.
Njëkohësisht, Akti Evropian për Lirinë e Medias, Rregullorja (BE) 2024/1083, dispozitat kryesore të së cilës zbatohen nga gushti i vitit 2025, ka forcuar garancitë për burimet gazetareske. Neni 4 vendos kufizime dhe kushte të rrepta për ndërhyrjet e autoriteteve që synojnë identifikimin e burimeve konfidenciale. Kjo ka rëndësi kur sinjalizuesi i beson informacionin një redaksie, por nuk e çliron median nga përgjegjësia për verifikim.
Për Kosovën, këto akte të BE-së janë standarde krahasuese me rëndësi, jo rregulla që zbatohen automatikisht. Në praktikën e gazetarisë, marrëdhënia ndërmjet burimit dhe medias shpjegohet edhe përmes kodeve etike evropiane.
Si i mbrojnë mediat evropiane sinjalizuesit dhe burimet e tyre?
Në Britani, Kodi i IPSO-s, në pikën 14, njeh detyrimin moral për mbrojtjen e burimeve konfidenciale. Kodi Gjerman i Shtypit, në pikën 5, kërkon ruajtjen e konfidencialitetit dhe mbrojtjen e informatorëve. Të dyja qasjet e vendosin besimin e burimit te media në qendër të praktikës profesionale.
Këshilli i Mediave i Finlandës, në udhëzimet e përditësuara në vitin 2024, krahas verifikimit kritik dhe mbrojtjes së burimeve, kërkon plotësimin e raportimeve kur dalin fakte të reja thelbësore dhe përpjekjen për t’i ndjekur ngjarjet deri në përfundim. Kjo ka lidhje me rastet e sinjalizuesve: një ngjarje që nis me zbulimin e një shkeljeje mund të vazhdojë me vendime disiplinore, procedura gjyqësore apo zhvillime që e ndryshojnë pamjen fillestare të rastit.
Këto parime janë të afërta me kërkesat e Kapitujve VII dhe VIII të Kodit të KMSHK-së për ruajtjen e burimeve dhe trajtimin e drejtë të sinjalizuesve. Mbrojtja, megjithatë, nuk kufizohet te mosshkrimi i emrit: ajo kërkon kujdes edhe me dokumentet, hollësitë dhe mënyrën e publikimit që mund ta identifikojnë personin pa dashje.
Lajmi publikohet, por çfarë ndodh me sinjalizuesin?
Pasi lajmi publikohet, vëmendja shpesh zhvendoset te shkelja e denoncuar. Ndërkohë, personi që ka folur mund të përballet me presione, ulje në pozitë apo largim nga puna. Nëse dalin pretendime të tilla, ato mund të përbëjnë një zhvillim të ri me interes publik, që meriton verifikim me dokumente dhe ballafaqim me qëndrimin e punëdhënësit.
Kjo nuk do të thotë se çdo veprim i punëdhënësit është hakmarrje. Duhet të shqyrtohen arsyet e masës, lidhja e mundshme me sinjalizimin dhe vendimet e institucioneve kompetente.
Në procedurat e mbrojtjes së sinjalizuesve, neni 25 i ligjit të Kosovës e vendos mbi punëdhënësin barrën për të provuar se veprimi i dëmshëm nuk ka lidhje shkakore me sinjalizimin; për gazetarin, kjo është një rrethanë ligjore që duhet kuptuar pa e paragjykuar rezultatin e kontestit.
Kodi i KMSHK-së nuk parasheh shprehimisht detyrim që media ta ndjekë çdo rast pas publikimit. Megjithatë, parimet e trajtimit të drejtë dhe raportimit të përgjegjshëm mbështesin ndjekjen e zhvillimeve të reja kur ato janë të rëndësishme dhe të verifikueshme. Nuk bëhet fjalë për një detyrim pa kufi ndaj çdo burimi, por për vazhdimësinë e raportimit kur historia ende ka rëndësi për publikun.
Mbrojtja e sinjalizuesit dhe besueshmëria e medias
Marrëdhënia mes sinjalizuesit dhe medias mbështetet te një ekuilibër i domosdoshëm. Personi që raporton mund të ketë arsye të forta për të folur dhe të meritojë mbrojtje ligjore, edhe nëse shkelja e dyshuar nuk provohet përfundimisht. Në të njëjtën kohë, gazetari duhet ta ruajë pavarësinë e gjykimit: të kërkojë prova, t’u japë mundësi përgjigje atyre për të cilët raporton dhe të mos e ngatërrojë besimin te burimi me vërtetësinë e çdo pretendimi.
Kjo është edhe fryma që përcjell Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës. Një media e përgjegjshme nuk gjykohet vetëm nga ajo që arrin të zbulojë, por edhe nga mënyra si e verifikon dhe e publikon informacionin. E kur pas një zbulimi dalin fakte për presione apo ndëshkime të mundshme ndaj personit që foli, edhe ato mund të bëhen pjesë e historisë që publiku ka të drejtë ta di.
(Autori është udhëheqës i Zyrës Ligjore i medias online Gazeta Jeta në Kosovë. Artikulli është shkruar për KMShK-në në kuadër të projektit të UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore: Mbështetje për gazetarinë si e mirë publike”, i financuar nga Bashkimi Evropian. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë ekskluzivisht të KMShK-së dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e UNESCO-s dhe të Bashkimit Evropian. #TrustInMediaSEE)