Masakra e Mejës, e kryer më 27 prill 1999, përbën një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë, 376 civilë shqiptarë nga Reka e Keqe gjegjësisht nga fshatrat Dobrosh, Sheremet, Rracaj, Nivokaz, Ponoshec, Ramoc, Madanaj, Korenicë, Meje, Guskë, u ndanë nga familjet e tyre, u ekzekutuan dhe u zhdukën në mënyrë sistematike. Në mesin e viktimave ishte edhe Pashk Kqira, vjehrri im – një humbje personale që më lidh drejtpërdrejt me këtë plagë kolektive.

Kjo ngjarje nuk përfaqëson vetëm një tragjedi familjare apo lokale, por një kapitull të dhimbshëm të historisë sonë kombëtare. Megjithatë, pas më shumë se dy dekadash, trajtimi institucional i Masakrës së Mejës mbetet i kufizuar kryesisht në përkujtime ceremoniale, pa një strategji të qëndrueshme shtetërore për dokumentim, edukim dhe ndërkombëtarizim.

Duhet potencuar faktin se në fshatrat Korenicë dhe Guskë nuk mbijetoj pothuajse askush nga mosha 15 vjeçare duke shënuar shkatërrimin total të këtyre dy fshatrave. Poashtu e njëjta goditje për fshatrat Dobrosh dhe Rracaj. Gjysma e viktimave në masakrën e Mejës ishin nga fshatrat Korenicë, Guskë, Dobrosh dhe Rracaj.

Reklamë

Një shkatërrim kaq masiv me kaq humbje njerëzore doemos ka kërkuar një qasje shtetërore për të respektuar viktimat dhe dramën e luftës sonë .

Mungesa e një qasjeje afatgjatë shtetërore

Pavarësisht ndërrimit të qeverive, Masakra e Mejës nuk është trajtuar ende si një projekt kombëtar me prioritet të vazhdueshëm. Iniciativat kanë qenë sporadike dhe të fragmentuara, ndërsa mungon një platformë institucionale që ta vendosë këtë ngjarje në qendër të kujtesës historike dhe politike të vendit.

Po ashtu, bashkëpunimi rajonal në këtë drejtim ka qenë i kufizuar. Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, pavarësisht lidhjeve kulturore dhe historike, nuk kanë ndërtuar ende një mekanizëm të përbashkët për promovimin ndërkombëtar të së vërtetës mbi këtë krim dhe krimeve të tjera.

Nevoja për besim dhe transparencë – Në komunitetin e familjarëve ekzistojnë perceptime dhe dyshime lidhur me mënyrën se si është trajtuar Masakra e Mejës, ekzistenca e tyre tregon për mungesë komunikimi të mjaftueshëm dhe transparence institucionale.

Reklamë

Një shtet funksional dhe i përgjegjshëm duhet të ndërtojë politika të tilla që eliminojnë çdo hapësirë për keqkuptime dhe ndarje, duke garantuar trajtim të barabartë dhe dinjitoz për çdo viktimë.

Mungesa e infrastrukturës së kujtesës – Në Kosovë ende nuk ekziston një qendër kombëtare e dedikuar për dokumentimin dhe memorializimin e Masakrës së Mejës. Nuk ka muze të përhershëm, arkiv të strukturuar multimedial, apo programe të qëndrueshme studimore.

Në të njëjtën kohë, kjo ngjarje nuk është e integruar mjaftueshëm në kurrikulën shkollore. Shumë të rinj përfundojnë arsimin e mesëm pa njohuri të thelluara për një nga krimet më të mëdha kundër civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Kjo paraqet një boshllëk serioz në edukimin historik dhe qytetar.

Reklamë

Si duhet të trajtohet Masakra e Mejës?

Një qasje e përgjegjshme shtetërore do të përfshinte:

1. Trajtimin si projekt kombëtar të përhershëm – Meja duhet të jetë pjesë e agjendës shtetërore afatgjatë, përtej cikleve politike.

2. Themelimin e një Qendre Kombëtare të Dokumentimit dhe Memorializimit – Kjo qendër do të përfshinte muze, arkiv, ekspozita dhe një platformë kërkimore shkencore.

Reklamë

3. Integrimin në sistemin arsimor – Masakra e Mejës duhet të jetë kapitull i detyrueshëm në historinë kombëtare, i shoqëruar me materiale didaktike dhe vizita studimore.

4. Bashkëpunim rajonal për lobim ndërkombëtar – Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të krijojnë mekanizma të përbashkët për promovimin e kujtesës historike në arenën ndërkombëtare.

5. Mbështetje të strukturuar për familjarët – Kjo përfshin përkrahje psikosociale, dokumentim profesional të historive familjare dhe përfshirje aktive në proceset memoriale.

6. Angazhim diplomatik dhe juridik të vazhdueshëm – Shteti duhet të vazhdojë ndjekjen penale të përgjegjësve, të kërkojë hapjen e arkivave dhe të mbështesë hetime ndërkombëtare shtesë.

Reklamë

Pa drejtësi të plotë, kujtesa historike mbetet e papërfunduar.

Masakra e Mejës duhet të konsiderohet një shtyllë themelore e historisë moderne të shqiptarëve. Ashtu si Vukovari dhe Srebrenica, ajo duhet të jetë pjesë e vetëdijes sonë kolektive dhe identitetit tonë institucional.

Derisa kjo ngjarje të mos trajtohet me seriozitet të plotë shtetëror, familjarët e viktimave do të vazhdojnë të përballen me një padrejtësi të dyfishtë: humbjen fizike dhe “heshtjen institucionale”.

Meja nuk kërkon vetëm përkujtim. Ajo kërkon drejtësi, respekt dhe angazhim të qëndrueshëm.