Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur më 23 nëntor në regjionin e Gjilanit.

FSK-ja ka njoftuar se pjesëtari i saj ka pësuar lëndime dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas njoftimit, rrethanat dhe shkaqet që kanë çuar deri te aksidenti janë duke u trajtuar dhe sqaruar nga organet përkatëse.

Reklamë

Forca e Sigurisë së Kosovës ka bërë të ditur se, bazuar në informatat e Regjimentit të Mjekësisë, i cili është në koordinim me QKUK-në, pjesëtari pritet t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik në Klinikën e Ortopedisë.

Megjithatë, gjendja e përgjithshme shëndetësore e tij është stabile dhe ai po vazhdon të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.