Paragrafi 4 i nenit 5 të Ligjit kundër Shpifjes, na u prezantua si norma që ndalon KEK-un të kërkojë dëmshpërblim për shpifje. Deputetja në ardhje, tha që juristët e KEK-ut e kanë ditur ose do të duhej ta dinin që padia për shpifje ndaj saj nuk është e lejueshme, rrjedhimisht konstatoi që padia është bërë për tendencë frikësimi e përndjekjeje.

Por, ndërkohë që neni 5.4 thotë që autoriteti publik nuk mund të kërkojë dëmshpërblim për shpifje, autoritetin publik e definon si person juridik që ushtron pushtetin publik. KEK-u është ndërmarrje publike, organizimi dhe udhëheqja e së cilës bëhet në përputhje me Ligjin për Shoqëritë Tregtare. KEK-u nuk ushtron pushtet publik – është korporatë që prodhon dhe shet rrymë. Për më tepër, KEK-u nuk përfaqëson monopol natyral.

Pra, përtej paranojës e keqinformimit, juristët në KEK, në fakt, kanë vepruar pikërisht sipas rolit që i takon zyrës ligjore të një korporate. Për hesap timin, veprime si ky, janë praktika që ndërmarrjet publike duhet t’i ndjekin për të qëndruar konkurruese në raport me sektorin privat. Ruajtja e kredibilitetit të ndërmarrjes është parakusht i suksesit të saj.

Reklamë

Një eksperte e energjisë e di (ose do duhej ta dinte) kush në sektorin e energjisë ushtron pushtet publik. E një deputete nuk do duhej të sabotonte korporatën, pronar i së cilës është Republika e Kosovës.

*Autori është jurist i specializuar në energji. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim nuk paraqesin qëndrimet e mediumit.