×
Opinione

“Minishengeni” kali trojan i Vuçiqit për t’i ripushtuar trojet shqiptare – kësaj radhe me ndihmën tuaj z.Rama

Reporteri
02 Janar 2020 | 15:43

Autor: Faton Kurti


Letër e hapur drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama nga Republikanët e Kosovës, REK


„MINI SHENGENI“ KALI TROJAN I VUÇIÇIT PËR TI RIPUSHTUAR TROJET SHQIPTARE – KËSAJ RADHE ME NDIHMEN TUAJ Z. RAMA!

Zotni Rama, ju ose jeni tërësisht i paditur, ose ju po punoni me qëllim kundër shteteve dhe interesave tona Kombëtare Shqiptare.

Ndërkohë që SHBA-ia dhe BE-ia kanë shtuar presionin Serbisë dhe presidentit të saj Aleksander Vuçiç që ta njohë Kosovën, ju po shtrëngoni aleancën me atë që nuk ka hequr dorë kurrë nga armiqësia ndaj shqiptarëve.

Vetëm, para pak kohe SHBA e kërcënoi Serbinë me sanksione të ashpra, nëse Serbia vazhdon të armatoset me sisteme raketore Ruse, gjë e cila është një kërcënim i hapur për paqen në rajon.

Në të njëjtën kohë ju “lideri global” po i dilni në mbështetje mikut tuaj radikal Vuçiç i cili vetëm para pak kohe e mohoi gjenocidin ndaj Shqiptarëve duke i quajtur masakrat e mijëra Shqiptarëve të pafajshëm si fëmijë, gra, pleq dhe burra, një gënjeshtër!

Nuk mbahet mend në historinë tonë ndonjëherë më parë që një qeveritar Shqiptar të dalë hapur (sikurse ju), kundra interesave Kombëtare. Së pari, duke e mbështetur ndarjen e Kosovës dhe kështu duke rrezikuar sovranitetin territorial të Kosovës – por pasi kjo ide tanimë duket e parealizueshme, ju dhe Vuçiçi, po provoni të arrini qëllimet e njëjta por me një formë tjetër duke e paketuar me emrin ” Mini Shengen”.

Mini-Shengeni është një ide e cila është kundërshtuar nga një pjesë e mençur e europarlamentarëve si një ide kundraproduktive në raport me rrugëtimin europian të shqiptarëve. Gjithashtu, edhe në aspektin ekonomik, Shqipëria nuk do të përfitonte asgjë nga shkëmbimi i lirë tregtar, pasi thjesht tregjet shqiptare do të përmbyteshin nga mallrat e lira serbe (jo domosdoshmërisht cilësore) dhe nuk do të ndodhte aspak e kundërta.

Kjo gjë do ta dëmtonte menjëherë ekonominë dhe prodhuesin vendas shqiptar duke shkaktuar një ngecje ekonomike dhe për pasojë nuk do të ishim larg vasalitetit që Shqipëria përjetoi në kohën e Jugosllavisë. Kjo, nuk do të ishte aspak një reminishencë me jugosllavë, por një analizë objektive dhe parashikim ekonomik i saktë.

Qëllimi kryesor i këtij “paketimi” është ekspansioni i influencës Ruso-Serbe në rajon dhe shkatërrimin e rrugës evropiane të Ballkanit.

Mini-shengeni, është një „pasaportë e artë“ për serbët në aspektin e lëvizjes së lirë të njerëzve, duke ju dhënë, via-libera në bregdetin që e kanë ëndërruar prej shekujsh. Shqipëria, do të përjetonte një „pushtim të heshtur“ pseudoturistik, apo veshur me petkun e pelegrinazheve fetare, nën të cilat do lundronin edhe interesa shumë të dëmshme për shqiptarët. Si, p.sh, agjentë rusë që udhëtojnë të lirë si serbë në tokat shqiptare apo edhe ish kriminelë lufte që vërdallosen krejt të pashqetësuar në Beograd.

Pra, zoti Rama, Mini-Shengeni është thjesht një rrugë e shkurtër për tu përmbushur ëndrra e vjetër serbe për dalje në Adriatik, kësaj here me firmën tuaj, për të cilën do të mbani përgjegjësi, pasi nuk keni as lejen dhe as miratimin e shqiptarëve.

Vuçiçi këtë e vulosi me deklaratën e tij para mediave Serbe me dyer të mbyllura, gjatë samitit në Shqipëri: “Unë këtë e kam llogaritur shumë mirë, unë mbroj interesat e shtetit tim, ta keni të qartë, unë mbroj interesat e shtetit tim”.

Unë si Kryetar i Republikanët e Kosovës, REK, ju bëj thirrje që urgjentisht të hiqni dorë nga kjo ide e marrë dhe nga ky plan i dëmshëm për tërë Shqiptarët dhe posaçërisht për Kosovën.

Nëse, me të vërtetë doni një hapje tregu pa barriera, filloni me Kosovën dhe një ditë kur Serbia ti përmbushë kushtet e një shteti normal me një qeverisje të re dhe demokratike duke i pranuar dëmet që ja ka shkaktuar Shqiptarëve dhe tërë rajonit, vetëm atëherë mund të merret në konsideratë një marrëdhënie normale fqinjësore – por kjo kurrë nuk mund të arrihet me një president radikal si Vuçiçi.

Nëse, në të ardhmen, ju duhet me të vërtetë të mësoni se si bëhet një politikë reale me Serbinë, duke u vendosur në kushte të barabarta partneriteti dhe jo vasaliteti, jam në dispozicionin tuaj për sugjerime dhe këshilla.

Prof. Faton Kurti
Kryetar i Republikanët e Kosovës, REK

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!