Pas çdo zgjedhjeve në Shqipëri, manipulohet me përqindjen

Autor: Shkëlzen Maliqi 


ZGJEDHJET NË SHQIPËRI: Pas çdo zgjedhjeve në Shqipëri, njësoj edhe në Kosovë, manipulohet me përqindjen e votuesve që kane dalë në zgjedhje për faktin se në listat zgjedhore figurojnë shumë më tepër votues se që janë “rezidente” dhe realisht dalin në zgjedhje. Kjo për arsye se pjesa dërmuse e diasporës nga Shqipëria dhe Kosova figuron në listat zgjedhore, e kanë të drejtën e votës, por nuk votojnë.


Në tri zgjedhjet e fundit në Shqipëri përqindja e daljes krahasuar me totalin e listës ka qenë: 2013 (parlamentare) – 53.3 %, 2015 (vendore) – 48 %, 2017 (parlamentare) – 46 %. Ndërkaq që përqindja e përkrahjes reale që e kanë partitë politike matet me përqindjet e elektoratit aktiv që përbëhet nga votuesit që jetojnë në Shqipëri.

Kjo është arsyeja pse vota e sotme për subjektet që kanë dalë në zgjedhje duhet të jetë shumë afër elektorateve të tyre besnike. Pasi që KQZ-ja për sot ka thënë se pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 21.6 % e votuesve të regjistruar kjo përqindje është absolutisht e krahasueshme me përqindjet e PS-së në zgjedhjet e vitit 2013 – 21.7 %, dhe të vitit 2017 = 22.1%, kur PD-ja ka pas ngecje të madhe (2013 = 16 %, 2017 – 13.2 %).

Prezentimi i përqindjeve reale të votës së fituar nga elektorati aktiv, që edhe shndërrohet në mandate, krijon figurat më reale të suksesit dhe mossuksesit të partive. Në këtë përllogaritje, raporti PS / PD qëndron kësisojit: 2013 – PS 40.8, PD 30.1; 2017 – PS 47.6, PD 28.5.

Lulzim Basha tregohet absolutisht manipulues kur thotë se 85 % të votuesve në Shqipëri janë “deklaruar” kundër Edi Ramës dhe PS-së.

Nëse kjo do të ishte e vërtetë, nëse ky është disponimi i vërtetë i shqiptarëve, atëherë na imponohet konkludimi se Basha dhe PD-ja paskan bërë gabim kolosal duke djegur mandatet dhe bojkotuar zgjedhjet, sepse po të dilnin në zgjedhje do të merrnin nëse jo 85 % atëherë 50 % ose 40 % të votës nga totali për ta mposhtur legalisht Edi Ramën dhe PS-në.

Mirëpo, jo, Basha e di mirë se PS-ja është në nivelet e elektoratit besnik, ndërkaq që PD dhe LSI as me koalicion nuk kanë mundur të dalin fitues. Andaj Bashës mund t’i thuhet: mos gënje me veten dhe opinionin, por reflekto gabimet dhe prano dështimin.

*Ky tekst është marrë nga profili i Maliqit në Facebook.