×
Opinione

Përtej futbollit: Ne fituam në Podgoricë

Reporteri
08 Qershor 2019 | 15:03

Autor: Genc Prelvukaj


Ju detyrohemi të gjithë lojtarëve tanë, i detyrohemi Fatos Beqirajt, u detyrohemi tifozëve dhe kësaj radhe edhe mediave.


1. Pse ju detyrohemi lojtarëve?
Sjellja e tyre përbrenda të gjitha normave fair play, ishte skajshmërisht e bukur. Nuk kishin asnjë moment të gjaknxehtësisë, kishin qetësinë dhe sjelljen sportive në nivelin me të lartë.

2. Pse i detyrohemi Fatos Beqirajt?
Malazezët janë në luftë të tmerrshme me pjesën serbe brenda Republikës se tyre. U reflektua edhe në braktisjen e kombëtares se tyre nga elementi serb brenda. Kjo prodhoi çarje edhe më të madhe brenda dy etnive në fjalë. Fatos Beqiraj qëndroi besnik, bëri lojën e tij, udhëhoqi ekipin edhe pse emocionalisht ishte i ngarkuar. Sjellja e tij, marrë për bazë “pabesinë” serbe ndaj kombëtares malazeze afron malazezët më shumë me etninë e parë të tyre: shqiptarët. Beqiraj është një sinjal i vogël për malazezët që shqiptarët mund të jenë më të afërt me ta, sesa serbët të cilët i kanë manipuluar historikisht për përfitim politik.

3. Pse ju detyrohemi tifozëve ?
Ishin fantastikë në çdo aspekt. Në rrjetet sociale, në çdo lloj paraqitje, nuk i trajtuan malazezët si serbë, nuk nisën gjuhën e urrejtjes dhe treguan edukatë. Nuk ishin në stadium por në asnjë rast nuk u vërsulën me inat në forumet apo portalet malazeze pavarësisht që shumë nga ne e njohim gjuhën e tyre. Nëse duam që malazezët, akademikë e studiues të së cilëve vetë kanë filluar të shkruajnë se janë me origjinë ilire ose shqiptaro-vllehe, t’i kemi aleatë, t’i lidhim më shumë me idenë e prejardhjes së përbashkët atëherë duhet t’i presim me respektin maksimal në Prishtinë. Ata u braktisën nga elementi serb ne Podgoricë për shkak të Kosovës. Kosova duhet t’i trajtojë me respekt në lojën e kthimit.

4. Pse ju detyrohemi mediave?
Orientuan drejt çdo gjë. Nuk dhanë pezm as mllef para ndeshjes. Mediat i trajtuan malazezët si popull në vete, i trajtuan si popull që nuk duhet gjykuar keq. Shkruan për futbollin dhe kur ndodhi thyerja e tyre, e cilësuan si përparësi për ne, por jo ta kthejnë në banalitet politik.

Këto janë arsyet pse fituam ne Podgoricë. Treguam kulturë në çdo aspekt. Të tregojmë edhe në ndeshjen e kthimit me vonë. Sepse luajmë iliret kundër ilirëve, shqiptarët kundër shqiptarëve të tjetërsuar por që çdo ditë e më shumë pranojnë origjinën e tyre.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!